DYLON

Konjufca: Kosova dhe Shqipëria përballë sfidave duhet të jenë afër njëra-tjetrës

Konjufca: Kosova dhe Shqipëria përballë sfidave duhet të jenë afër njëra-tjetrës
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Mimi Kodheli, kryetare e komisionit.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërtuar në shumë fusha, veçanërisht në rrafshin parlamentar, por gjithashtu u shtrua nevoja e shfrytëzimit të hapësirave për të thelluar më tej këto marrëdhënie.

EkoHigjiena

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të parlamenteve respektive kontribuojnë në këmbimin e përvojave dhe avancojnë më tej bashkëpunimin ndërparlamentar.

“Vendet dhe parlamentet tona janë vëllazërore, andaj përballë sfidave rajonale dhe globale duhet të jemi sa më afër njëri-tjetrit. Këto vizita dëshmojnë intensifikimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar”, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit falënderoi zonjën Kodheli për afirmimin e kërkesave të Kosovës nga ana e Shqipërisë, brenda strukturave të NATO-s.

Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetarja e delegacionit nga Kuvendi i Shqipërisë, Mimi Kodheli, vlerësoi lart frytet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Tiranës zyrtare për Kosovën në të gjitha sferat.

Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria janë pjesë të të njëjtit komb dhe se është kënaqësi e veçantë vizita në Prishtinë.

Kodheli foli gjithashtu për takimet e qeverive të të dyja vendeve dhe për marrëveshjet e arritura, për të cilat tha se kanë nevojë për mbështetjen e parlamenteve.

Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë, si dhe u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të mëtejmë të të dyja vendeve, në të gjitha fushat. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.