Deputeti Glauk Konjufca nga “Vetëvendosje”, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta kundërshtojnë krijimin e një Gjykate Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. “T’i thuash jo kësaj gjykate nuk do të thotë të jesh kundër hetimit për të gjitha ato gjëra të cilat dyshohet se kanë qenë shkelje të ligjeve të luftës dhe të konventave ndërkombëtare. Por këto hetime dhe gjykime do të duhej t’i bënte Kosova e jo dikush tjetër.
Pikërisht për këtë arsye “Vetëvendosje” do të propozojë një rezolutë alternative e cila kërkon që së pari të ketë gjykatë për Serbinë dhe që për të gjitha rastet e nevojshme për të cilat ka dyshime të bazuara, të iniciohen hetime dhe, nëse ka nevojë edhe gjykime nga drejtësia e Republikës së Kosovës.
Kjo rezolutë do të prezantohet nga kryetari i grupit tonë parlamentar dhe do të harmonizohet edhe me qëndrimet e grupeve tjera parlamentare. Ju lusim që ta votoni rezolutën e Lëvizja “Vetëvendosje” dhe jo letrën e Presidentes për themelimin e një Gjykate Speciale”, tha Konjufca, transmeton Kosova Sot..
Deputeti i VV-së më tej tha se institucionet e Kosovës, qeveritë e deritashme të Kosovës kanë pasur material që për çdo javë ta dorëzojnë nëpër gjyqet ndërkombëtare nga një padi kundër Serbisë për plagët që ajo na i shkaktoi, të cilat kurrë nuk do t’i harrojmë dhe të cilat ende janë të hapura. “Përderisa Kosovës dhe UÇK-së po i dedikohet një Gjykatë Speciale për krimet e supozuara, në Serbi po zhvarrosen trupat e 300 shqiptarëve të mbuluar me asfalt.
Prej vitit 1999 Serbisë është dashtë që institucionet tona t’ia përgatisin së paku 150 mijë padi.
12 mijë padi për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
20 mijë padi për dhunime seksuale.
120 mijë padi për shkatërrimin e pronave dhe shtëpive.
Mijëra padi për maltretime.
Si dhe mijëra padi për krime ekonomike.
Pikërisht pse institucionet tona nuk i ngritën këto padi, bashkësia ndërkombëtare e prioritizoi një Gjykatë e cila, pa dyshim që për nga objekti që do ta trajtojë, paraqet një kerkesë këmbëngulëse të Serbisë”, theksoi Konjufca.
Ai ka propozuar një rezolutë alternative të Vetëvendosjes, që i ka pesë pika.
Teksi i Rezolutës së “Vetëvendosjes”:
R E Z O L U T Ë
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon refuzimin e çdo kërkese që pret nga Kosova pëlqimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë jashtë sistemit të brendshëm të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të mos marrë pozicion apo të diskutojë zyrtarisht mbi këtë temë pa marrë pëlqimin me votim të Kuvendit.
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën thirrje zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të unifikojë qëndrimet e veprimet me Kuvendin e Republikës së Kosovës në refuzimin e kërkesës për ngritjen e Gjykatës Speciale si dhe dhënien e mbështetjes për sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë. Ngarkohet kryesia e Kuvendit ta komunikojë dhe bashkërendojë këtë kërkesë.
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të bashkërendojë veprimet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në lidhje me kundërshtimin e kërkesës për formimin e Gjykatës Speciale.
5. Raporti i hetimeve të Clint Ëilliamson, Prokuror i Task Forcës për Hetime Speciale në lidhje me pretendimet e Senatorit Dick Marty, të përfshira në Dokumentin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i datës 7 janar 2011, duhet të trajtohet nga Prokuroria e Kosovës. Institucionet shtetërore të Kosovës do ta mbështesin dhe përkrahin Prokurorinë e Kosovës, do t’i vihen asaj në shërbim për të gjitha nevojat si dhe shprehin gatishmërinë për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë.