Mbrëmjen e së hënës (3 nëntor), në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bashkësisë Lokale (BL) të Tërnocit, u vendos që të mbahet një protestë gjithëpopullore, duke reaguar kështu ndaj bastisjes së policisë në këtë fshat, me çrast u konfiskuan mbi dy tonë duhan i papërpunuar.
“BL e fshatit Tërnoc reagon ashpër ndaj bastisjes dhe konfiskimit të duhanit të papërpunuar tek familjet Avdiu dhe Jusufi dhe kërcënimet ndaj familjeve tjera shqiptare të këtij vendbanimi se do t’i konfiskohet duhani që është i pakontraktuar”, thuhet në reagimin e BL-së së Tërnocit, nënshkruar nga kryetari Agim Haliti, transmeton Titulli.
BL konsideron se këto akte janë të jashtëligjshme dhe antinjerëzore me qëllim shpërnguljen e popullatës nga këto troje.
“Kultivimi i duhanit prej kohësh ka qenë, jo vetëm burim financiarë për kafshatën e bukës, por edhe burim kryesorë për shkollimin e gjeneratave të reja të cilat janë ardhmëria jonë”, thuhet në reagim.
Bashkësia Lokale me këtë rast fton qytetarët të premten (7 nëntor) me fillim prej orës 13h, masovikisht të marrin pjesë në protestën e cila do të mbahet në qendër të fshatit me moton “Stop plaçkitjes së familjeve shqiptare”.
Në mbrëmjen e 31 tetorit, në aksionin e policisë u konfiskuan mbi dy tonë duhan i papërpunuar, të cilin familjet shqiptare deklaruan se e kishin punuar me muaj këtë bimë industriale, në mënyrë legale.