/2L ONLINE/ – Me qëllim të informimit të qytetarëve rreth kërcënimeve dhe rreziqeve që shkaktohen nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm është mbajtur sot në Viti një konferencë mbi parandalimin këtij fenomeni.
Në këtë konferencë ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Komunale të Vitisë, Policisë së Kosovës, Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), bashkësive fetare dhe të tjerë ndër tjerash është diskutuar rreth sfidave të Kosovës në ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmit si dhe për gjetjen e praktikave më të mira për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni të rrezikshëm për shoqërinë.
Sokol Haliti, Kryetar i Komunës së Vitisë ndër tjerash foli edhe mbi nevojën e bashkëpunimit me qëllim që qytetarët të mos bien viktimë të nxitjes së urrejtjes në çfarë do forme qoftë ajo.
”Proceset nëpër të cilat po kalon shoqëria kosovare, kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim të gjerë ndërmjet institucioneve vendore dhe të gjithë akterëve të jetës publike dhe fetare, me synim që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë një informim të drejtë dhe të mos bien viktimë e nxitjes së urrejtjes fetare, nacionale a racore dhe të krijojnë idenë e funksionimit të shoqërisë demokratike ku secili e shfaq bindjen e vet në mënyrë të lirë dhe pa u penguar, si dhe pa fyer tjetrin”, u shpreh kryetari Haliti.
Kurse Florian Qehaja, Drejtor ekzekutiv i QKSS-së bëri me dije se kjo konferencë ka për qëllim dërgimin e mesazhit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë edhe pse pohoj se kjo gjë nuk është ndër problemet kryesore që ka Kosova.
” Arsyeje pse sot jemi mbledhur në këtë takim është pjesë e përpjekjeve tona nacionale për ta dërguar mesazhin në funksion të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë. Sigurisht që ekstremizmi i dhunshëm nuk është ndër problemet kryesore që ne i kemi për vet faktin se Kosova ballafaqohet me shumë probleme dhe sfida që kanë të bëjnë me papunësinë, krimin e organizuar, korrupsionin, problemet me shtetin Serb etj”, ka thënë Qehaja.
Ai pohoi se fenomni i ekstremizmit të dhunshëm është në rritje në shtresat e ndryshme të popullatës në veçanti të grup moshës së re.
Kurse Fatos Latifi, zv. Komandant i Stacionit Policor në Viti, tha se për parandalimin e këtij fenomeni institucionet përgjegjëse të shtetit kanë përpiluar strategjinë kombëtare kundër terrorizmit. “ Qysh në vitin 2012 është përpiluar Strategjia kombëtare kundër terrorizimit, dhe ajo është duke u impelmentuar. Strategia ka për qëllim fuqizimin e mekanizmave institucional të dedikuar për luftimin dhe parandalimin e terrorizmit, ngritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në nivel vendi dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar”, u shpreh zv. Komandanti Latifi.
Ai tha se strategjia në fjalë po zbatohet edhe në Komunën e Vitisë duke bërë me dije se duke u bazuar në të po mblidhen informacione të ndryshme nga tereni që kryesisht kanë të bëjnë me radikalizmin fetar e që mund të shpie në terrorizëm. Latifi tha se këto informacione dërgohen në njësinë anti terror në nivel qendror.
E Xheladin Halili, anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vit si dhe anëtarë i KKSB-së, foli në aspektin fetar mbi aktet e dhunës që sipas tij padrejtësisht po lidhën me Islamin. “ Pavarësisht prezencës së dhunës nga njerëz me prejardhje të ndryshme fetare, në të gjitha shoqëritë njerëzore në botë.
Bota e sotme moderne aktet e dhunës fatkeqësisht më së shumti po i lidh me besimin Islam që realisht nuk është e drejtë por megjithatë ka ndikuar që disa individë që ne tani po merremi nëpër gojë në një mënyrë paraqitet jo drejtësisht ajo që ngërthen në vete Kur ani dhe Islami si fe e paqes”, pohoi Halili.
Kurse në emër të Ekipit Veprues për Siguri në Bashkësi ka folur koordinatori i këtij ekipi, Imri Emerllahu i cili tregoj edhe për punën e bërë nga ky mekanizëm.
Përndryshe në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Komunale të Vitisë, Policisë së Kosovës, KFOR-it Amerikan, Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, EVSB-së, grupeve rinore, bashkësive fetare etj.
Gjatë kësaj konferenca pati mendime të ndryshme pro dhe kundër futjes së mësim besimit si lëndë në shkollat e Kosovës. Gjithashtu si problem që shpie në mbështetjen e terrorizmit dhe radikalizmit të dhunëshëm u paraqit matrialet të cilët shpërndahen në mediat digjitale me qasje në internet. /2L ONLINE/