(2LONLINE) – Në Kosovën e paslufte një ndër sektorët që kanë lulëzuar është ajo e kompanive siguruese, që merren me ruajtjen e objekteve dhe ofrimin e elementeve tjera siguruese. Ato përmes njerëzve dhe pajisjeve të tyre nuk bëjnë vetëm sigurimin e marketeve të mëdha, bankave, shtëpive private e çka jo tjetër. Por u duhet të ndërhyjnë shpesh edhe në rregullimin e sjelljeve dhe mosmarrëveshjeve në to.
E tani unë këtu nuk kam hallin e këtyre sigurimeve por me trishton fakti përse janë kaq të nevojshme të tillat në mesin tonë! Kaq shumë hajna jemi ne?! Kaq të pacipë dhe të pakulturuar jemi ne që nuk duam dhe nuk mbajmë radhën tonë, nuk heshtim aty ku duhet mbajtur qetësi, parkojmë aty ku nuk duhet parkuar e…
Për fat të keq mund lirisht të themi se edhe në një institucion sikur është teatri këtu tek ne ekziston nevoja për shërbime sigurie dhe më shumë për rend!
Ne sallën e teatrit, në Gjilan ishte organizuar koncert i muzikës serioze për nderë të Ditës së Pavarësisë, 17-Shkurt. Po, po, e përsërisë, i muzikës serioze. Dhe pikërisht për këtë fakt, në mos për diç tjetër po presupozojmë se do të duhej të kishte rend qetësi maksimale për të iu mundësuar atyre që kishin shkuar në të vërtetë për t’u kënaqur me tinguj dhe muzikë që ata preferojnë dhe se në vendet tjera, në sallat ku mbahet koncert i muzikës serioze vështirë se dëgjon edhe frymëmarrje e le më tjetër gjë.
Në fakt në këtë sallë gjatë mbajtjes së koncertit, ku performohej edhe nga talentë të tille që kishin performuar edhe në skena të metropoleve botërore, jo që nuk kishte qetësi, por kishte edhe banalitete e sjellje që ndoshta nuk do të i shkonin as edhe një koncerti me muzike tallave.
Aty binte zilja e telefonit celular dhe bisedohej me telefon sikur të ishte në ambient të hapur e jo në salle koncerti, merreshin në gojë solistët me shpoti si dhe me t’u dëgjuar ndonjë tingull melodik që mund të ngjante në ndonjë këngë popullore fillonin duartrokitjet në përcjellje të ritmit sikur në dasme, e dëgjohej edhe ndonjë e qarë fëmijësh. Dhe çka është më e keqja, aty ishin futur njerëz, të rinj që në fakt nuk e kishin idenë se për çfarë kishin ardhur aty.
Ndoshta kanë ardhur nëm moton “hajde hymë e shohim e bëjmë hajgare”, Në të vërtetë ata edhe tërë kohën sa po mbahej koncerti flisnin me të madhe, gjuanin fjalë në drejtim të atyre që mbanin koncert, qeshnin me zë të lartë dhe me budallallëqet e bëra vetë.
Kështu që mjerisht as për se afërmi nuk i ngjante një koncerti me muzikë serioze përkundër performancës dhe dëshirës se atyre që bënin koncertin. Tani, domosdo do të të shkojë mendja në këto kompani të sigurimit edhe kur je në një sallë teatri, ama këtu tek ne, e jo gjëkundi tjetër.
/Xhelil ARIFI/
Kori i femrave – Gjilan
Koncerti për ditën e Pavarësisë, Teatri i Qytetit – Gjilan
Dirigjente – Prof.Florentina Rushiti Bajrami
Kori : Shqipe Bucaliu, Albina Jakupi, Arbenita Islami-Januzi, Endrita Shkodra, Flaka Baliu, Fatlinda Isufi, Majlinda Bajrami, Rina Kurteshi, Kaltrina Hajdari, Fëllënza Arifi.
Piano- Diana Toska
Cello- Arzije Isufi