Koncert festiv në nder të Ditës së Çlirimit të Kamenicës
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kamenicës, mbrëmjen e së enjtes në Sheshin “Metush Krasniqi” u mbajt koncerti festiv i organizuar nga Shkolla e Baletit “Dancing House”, me përkrahjen e Komunës së Kamenicës.
Në këtë koncert performuan grupi i baletit nga Kamenica, grupi i baletit nga Gjilani, si dhe grupet e vallëzimit modern, të cilat sollën para publikut koreografi të ndryshme artistike dhe interpretime mbresëlënëse.
Ngjarja mblodhi qytetarë, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese në qendër të qytetit. Përmes performancave të tyre, artistët e rinj kontribuuan në pasurimin e programit kulturor të organizuar në kuadër të manifestimit “Qershori i Lirisë”, duke e bërë këtë mbrëmje një festë të vërtetë të artit dhe kulturës.
Koncerti u mirëprit nga publiku, i cili shijoi një mbrëmje të veçantë kushtuar lirisë, artit dhe talentit të të rinjve.
