Komunitetet në Gjilan, të kënaqura me trajtimin e institucioneve dhe shoqërisë së këtushme

Komunitetet në Gjilan, të kënaqura me trajtimin e institucioneve dhe shoqërisë së këtushme

Komiteti për Komunitete ka miratuar me vërejtje raportin e zyrës së linjës për periudhën prill-maj të këtij viti, ndërkohë që anëtarët e kësaj trupe komunale janë shprehur të kënaqur me gjendjen e sigurisë në Gjilan si dhe me trajtimin që institucionet dhe shoqëria e këtushme ua bëjnë komuniteteve.

Kemal Shahin, kryesues i këtij Komiteti, ka thënë se gjatë dy muajve të fundit, periudhë kjo që i referohet raporti, nuk ka pasur asnjë incident ndëretnik në Gjilan. Për më tepër, ai tha se toleranca ndëretnike ka shënuar përparime tjera në këtë periudhë dhe përmendi koncertin e komunitetit rom para tetarit të qytetit, për nder të ditës së Shëngjergjit, i cili ka përfunduar pa asnjë problem.

Për nder të kësaj dite, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili e ka mbështetur programin para teatrit të qytetit, ka shtruar edhe një drekë për komunitetin rom, ka thënë Shahin.
Pas dy javësh, një grup muzikor rom ka dhënë koncert tjetër para teatrit të qytetit, dedikuar të gjithë qytetarëve të kësaj komune.

Shahin ka nënvizuar me këtë rast edhe takimin që ky Komitet ka mbajtur para disa ditësh, në selinë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, duke thënë se takimi është transmetuar drejtpërdrejt përmes video-linkut në Nju Jork.

Përndryshe, Fadil Demiroviq, ka thënë se mbajtja e koncertit para teatrit të qytetit, që nuk ka ndodhur askund tjetër në Kosovë, është një hap i madh për komunitetin rom në Gjilan, ku deri tani nuk ka asnjë problem që mund t`i shqetësojë ata.

Në disa qytete tjera, ku jeton ky komunitet, romët kanë mbajtur koncerte nëpër lagjet e tyre.

Komiteti për Komunitete ka diskutuar edhe për raportin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim, për periudhën prill-maj, të cilin e ka prezantuar Kemal Shahin, në mungesë të shefit të kësaj Zyreje.

Gjatë kësaj periudhe janë kthyer dy familje, njëra serbe dhe tjetra rome, ndërkohë që ZKK ka kryer disa vizita në terren, për të mbikëqyr gjendjen e familjeve të regjistruara për asistencë në 6-12 muajt e fundit.

Sa i përket riatdhesimit, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, janë kthyer 21 familje apo individë, shumica e tyre në mënyrë të detyrueshme, ose siç thuhet në raport, me dhunë.

Formulimin “kthim me dhunë” e ka kontestuar si jo të përshtatshëm Bardhyl Kadriu (LDK), duke thënë se kjo nënkupton edhe lëndime të personave të riatdhesuar. Për më shumë, ai ka pasur edhe vërejtje tjera në raportin e ZKK, siç ishte koha e migrimit të këtyre personave, që te shumica është viti 1920, mungesa në raport e emrave të personave të kthyer dhe të tjera.

ZKK nuk e ka kryer si duhet asnjëherë punën e saj dhe nuk është treguar sa duhet bashkëpunuese me Komitetin, ka thënë Kadriu.

KOMENTE