Komunitetet kërkojnë respektimin e gjuhës së tyre në sistemin e lëshimit të dokumenteve

(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete në Gjilan ka kërkuar përmirësime në sistemin qendror të lëshimit të dokumenteve të gjendjes civile, për t`iu dhënë mundësi komuniteteve që t`i kenë në gjuhën e tyre të gjitha të dhënat.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka thënë se në Gjilan është në përdorim zyrtar edhe gjuha turke, prandaj ka kërkuar që të gjitha të dhënat në certifikata të jenë në gjuhën e komuniteteve, duke sqaruar se sistemi qendror nuk i njeh disa të dhëna, siç shkruhen ato në gjuhën turke.

Sqarime në këtë çështje ka dhënë Agim Velekinca, shef i Shërbimit të Gjendjes Civile, i cili ka thënë se kjo çështje është e rregulluar me ligj, duke shtuar se shqetësimet e komuniteteve janë përcjellë në administratën qendrore dhe pritet që disa gjëra të rregullohen.

Velekinca ka thënë se disa kërkesa janë të pa realizueshme, sepse emërtimet e rrugëve nuk mund të shkruhen sipas rregullave të gjuhës turke, si për shembull “Adem Jashari” të bëhet ‘Adem Jasharllar’.

Ne bëjmë aq sa lejon sistemi qendror, por nuk mund të ndërhyjmë në bazën e të dhënave, ka thënë Velekinca.

Përndryshe, gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit u vlerësua e mirë. Sadete Sadiku nga policia e Kosovës, ka thënë se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se nuk është raportuar asnjë rast me prapavijë etnike gjatë muajit të fundit.

Sadiku ka thënë po ashtu se policia është duke realizuar projektin “Stop migrimit ilegal” dhe është e përqendruar te komuniteti rom, për t`i njoftuar ata me pasojat që ka kjo formë e largimit nga Kosova. /2L ONLINE/

KOMENTE