DYLON

Komunitetet i japin përkrahje kërkesës së fshatit Dobërçan për kanalizim

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete i ka rekomanduar Drejtorisë së Shërbimeve Publike që të gjejë një zgjidhje për problemin e ujërave të zeza në fshatin Dobërçan, që në këtë trupë komunale erdhi për shqyrtim si kërkesë e këshillit të fshatit.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se në këtë fshat jeton komuniteti turk dhe shqiptar dhe ata kanë nevojë për rregullimin e kanalizimit në një gjatësi prej 100 metra, duke e cilësuar të drejtë shqetësimin e tyre.

EkoHigjiena

Ibish Ibishi, përfaqësues i fshatit, anëtar i Kuvendit Komunal, duke e arsyetuar kërkesën, ka thënë se banorët e Dobërçanit janë kontribuues të rregullt në buxhetin e Komunës, përmes taksave të tyre dhe ata meritojnë t`iu zgjidhet ky problem.

“Bëhet fjalë për një kanal të hapur në gjatësi prej 100 metrave, ku lëshohen kanalizimet dhe ujërat e zeza”, ka thënë Ibishi, duke kërkuar një zgjidhje të përhershme për këtë problem.

Kërkesa është mbështetur edhe nga anëtarët tjerë të Komitetit për Komunitete. Shefik Surdulli tha se projekti i kanalizimit në këtë fshat është i nevojshëm si për komunitetin turk, ashtu edhe për shqiptarët.

Përndryshe, në fshatin Kmetoc, ku pos shqiptarëve jeton edhe komuniteti serb, është duke u realizuar projekti i ujësjellësit. Tomisllav Naskoviq tha se në këtë lokalitet është kryer ndriçimi publik, fusha e sportit, ura që lidh disa familje, ndërkohë është duke u kryer rrjeti i ujësjellësit.

Sa i përket situatës së sigurisë, në komunën e Gjilanit, ajo u vlerësua e qetë dhe stabile nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, togeri Feriz Abazi. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve në ruajtjen e kësaj klime të mirë që është krijuar në Gjilan. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.