/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë është përzgjedhur në mesin e disa komunave të Evropës Juglindore, të cilat do të përfshihen në projektin ‘Partneriteti ndërkomunal për qëndrueshmëri’, që e financon Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë dhe e implementon ‘Agjencia e shërbimit të komuniteteve në një botë’.
Përfaqësuesi i Komunës Kirchhain, prof. Rainer Waldhardt, i ka kumtuar sot lajmin kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, se Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë e ka miratuar kërkesën për partneritet midis Vitisë dhe Kirchhain, që do të thotë edhe financimin e projekteve të përbashkëta.
Prof. Waldhardt, ka thënë se, programi do të nisë në janar 2017 dhe faza e parë do të zgjasë dy vite. Ai ka treguar se Qeveria gjermane me theks të veçantë ka shprehur gatishmërinë të fokusohet sidomos në Kosovë, ndonëse në program kanë qenë të ftuara edhe komuna nga tetë shtete të rajonit.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, bashkë me kryesuesin e Kuvendin Komunal Naim Pira që ishte në takim, ka thënë se institucionet lokale kanë një unitet veprues në këtë aspekt dhe krahas ekzekutivit, në miratimin e partneritetit dhe të çdo marrëveshjeje që do të dalë nga bashkëpunimi me Kirchhain do të jetë i përfshirë edhe Kuvendi Komunal por edhe ekspertë të fushave përkatëse dhe përfaqësues nga shoqëria civile. ‘Ne ju sigurojmë se do të punojmë bashkarisht dhe me përkushtim për të realizuar në plotni çdo aspekt të marrëveshjeve që do t`i bëjmë bashkë, në funksion të implementimit me sukses të projekteve për zhvillimi të qëndrueshëm. Sigurisht që kemi nevojë për mbështetje dhe përvojat gjermane janë të mirë se ardhura’, ka thënë kryetari Haliti.
Prof. Waldthart ka vizituar edhe fshatin Smirë, me të cilin fshati Klansellheim i komunës Kirchhain ka inicuar bashkëpunimin.
Në muajin shtator një delegacion i Komunës së Vitisë i kryesuar nga kryetari Haliti ka marrë pjesë në një punëtori në Bonn, ku janë caktuar modalitetet dhe prioritetet e bashkëpunimit në tre Objektiva të Agjendës 2013 për Zhvillim të Qëndrueshëm: Mbrojtja e Ambientit, Energjia e Ripërtëritshme dhe Biodiversiteti dhe përdorimi i tij në Bujqësi. Gjatë vizitës në Gjermani delegacioni vitias ka vizituar komunën Kirchhain ku është takuar kryetarin Olaf Hausmann dhe me zyrtarë të lartë të kësaj komune.
Projekti do t`u ofrojë komunave pjesëmarrëse mundësinë që të vendosin një dialog në Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm me partnerët e tyre komunal për të lidhur një bashkëpunim strategjik për arritjen këtyre objektivave. /2L ONLINE/