Komunat të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor

Komunat të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor

Në përgatitjet e vazhdueshme për një fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor, Kolegjiumi për Arsim në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe një herë diskutoi lidhur me përgatitjet dhe gatishmërinë e Drejtorive Komunale të Arsimit, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë me prezencë fizike dhe orar të plotë në kushte pandemie.

Kështu, Drejtorët Komunal edhe një herë shprehën angazhimin e tyre në marrjen e të gjitha masave përgatitore për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, sipas protokolleve dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësorë për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Gjatë takimit, Kryesuesi i Kolegjiumit të Arsimit z. Besim Avdimetaj, në këtë takim tregoi që deri më tani, ka qenë një koordinim i mirë rreth procesit të fillimit të vitit shkollor, dhe se komunat janë të gatshme të fillojnë me çfarëdo vendimi rreth skenarëve të Ministrisë së Arsimit dhe që mësimi të jetë sa më mirë i organizuar kërkohet që të jetë një planifikim sa më i mirë.

Përkundër angazhimit maksimal për mbarëvajtjen e procesit mësimor, Kolegjiumi për Arsim spikati shqetësimet e tyre lidhur me sfidat e vazhdueshme në procesin e arsimit komunal mbesin të njëjta për të gjithë, ku në bashkëbisedim edhe një herë u përmendën një varg çështjesh të cilat janë pengesë në zhvillimin e mirëfilltë të procesit mësimor në komuna.

Njëra ndër problematikat e evidentuara mbetet çështja e lehonave dhe mësimdhënësve me sëmundje kronike të cilët janë të liruar nga prezenca fizike në shkolla për shkak të pandemisë, andaj edhe paraqiten mungesa të theksuara në mbarëvajtjen e një procesi të rregullt mësimor në shkolla. Edhe pse një gjë e tillë është premtuar nga institucionet qendrore, gjegjësisht për lirimin e tyre nga obligimi për t’u paraqitur ne vende pune dhe për zëvendësimin, ende nuk ka një fond të caktuar për zëvendësimin e mësimdhënësve shtesë.

Po ashtu u potencua edhe çështja e udhëzuesit të rishikuar nga MASHTI për organizimin e mësimit në fillimin e vitit të ri shkollor, i cili nuk kishte konsultime paraprake me institucionet lokale. Andaj, kjo paraqet sfidë për shkak të kritereve të cilat do të jenë vështirë të zbatueshme sidomos në institucionet shkollore të cilat kanë një numër të madh të nxënësve.

Në respektim të masave dhe distancës së propozuar duhet të punohet në disa grupe, ku edhe shkakton probleme ne funksion të duhur të procesit mësimor, andaj MASHT-i duhet të këshillohet me DKA-të, në gjetjen e alternativave të duhura për një fillim të duhur të procesit arsimor.

Kolegjiumi për Arsim shpreh bindjen se e vetmja zgjidhje mbetet vaksinimi në masë i qytetarëve, me mundësi rishikimi për vaksinimin e të rriturve por edhe të nxënësve në shkolla në ruajtjen e shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë pjesëmarrësve të institucioneve edukativo-arsimore./2LONLINE.com/

KOMENTE