Komuna të ndihmojë ekonominë, bizneset e Gjilanit

Komuna të ndihmojë ekonominë, bizneset e Gjilanit

Kjo qeverisje komunale, nëse për asgjë tjetër, do të mbahet në mend për punë dhe investime infrastrukturore, në shtrimin e shumë rrugëve të Komunës së Gjilanit. Në kushte normale kjo do të ishte për t’u lavdëruar, por meqë vendi ynë kaloi një periudhe jo të lehtë, të një gjendje pandemie, të cilës po shpresojmë se gradualisht po i vije fundi dhe se vendi po i kthehet normalitetit, atëherë duhet të veprohet urgjentisht konformë situatës, sidomos në sektorin e ekonomisë.

Kështu shprehet për Portalin 2LONLINE.com, Mimoza Kadriu, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Nismës Socialdemokratë, sipas të cilës, tanimë komuna duhet të mendojë urgjentisht dhe të del me hapa konkret se si do të ndihmojë bizneset e Komunës së Gjilanit.

“Kjo duhet të jetë prioritet mbi prioritete, këtë e kam kërkuar vazhdimisht nëpër takime që kemi pas si përfaqësuese e Kuvendit Komunal, me komitetin emergjent, këtë kërkova edhe në takimin e fundit të komitetit për politikë dhe financa. Vazhdimisht kam kërkuar që të ndalen investimet kapitale dhe e gjithë vëmendja të kthehet në përkrahjen e bizneseve të cilët përjetuan dëme të paevitueshme, gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Kadriu.

Ajo shtoi se thellimi i krizës ekonomike do të çonte në mbylljen e bizneseve dhe uljen e numrit të të punësuarve.

“Ne jemi dëshmitarë që numri më I madh I të punësuarve, janë në sektorin privat dhe kjo ulje e numrit të të punësuarve në këtë sektorë, do të ishte një fatalitet për vendin. Ky vit duhet të shpallet nga komuna vit emergjentë financiar dhe të kompensohen humbjet ekonomike të bizneseve dhe atë pa asnjë përjashtim”, thotë Kadriu, transmeton 2LONLINE.com.

Sipas saj, përveç kësaj, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri duhet të hulumtojë donacione ndërkombëtare dhe të bëhet model i një kryetari për mënyrën se si arriti të ndihmojë gjendjen ekonomike.

“Në menaxhimin e situatës së pandemisë, krahas angazhimeve të madh që komuna pati, meritorë për përmbajtje dhe maturi qytetare është vetë qytetari, kurse menaxhimi i gjendjes ekonomike pas-pandemi mbetet të shihen veprimet nga udhëheqësia komunale”, thotë Mimozë Kadriu, anëtare e Kuvendit Komunale të Gjilanit.

KOMENTE