(2LONLINE) – Ismail Januzi, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik (DZHE) i Komunës së Gjilanit duket të jetë më dorëliri, pasi ai nuk merret fortë me ankesa për borxhet e mëdha të trashëguara nga qeverisja e kaluar, por ai të martën e hapi qesen e komunës dhe ka lëshuar në qarkullim afër gjysmë milion euro, për tu shlyer disa prej obligimeve që ka komuna, që nëse nuk llogariten detyrimet kontingjente, sipas faturave ekzistuese, kalojnë shumën prej 4 milion eurosh.
Tani ky borxh është zbutur paksa me këto gjysmë milion eurosh të lëshuar sot, dhe se sipas drejtorit Januzi, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë lëshuar për tu shlyer obligimet që kanë të bëjnë me shpronësime, janë afër 300 mijë euro dhe pjesa tjetër për shlyerje të obligimeve që kanë të bëjnë me ato borxhe të participimit në projekte, për hartime planesh, për projekte më të vogla…
Ky sigurisht është një lajm i mirë për ata ndaj të cilëve komuna ka pas obligim, dhe që me këto mjete parashihet tu shlyhen obligimet apo një pjesë e obligimeve. Ndërkohë që drejtori i DZHE-së Ismail Januzi ka bërë me dije se kur jemi te shlyerja e një pjese të obligimeve për shpronësimeve, kjo ka të bëjë me shpronësimet te linja 110 kv, pastaj shpronësimet te Kodra e Dëshmorëve, e që janë të viteve 2011 e 2012, ndërsa pritet edhe dislokimi i mjeteve tjera për të vazhduar edhe me shlyerjen e pjesës së dytë të borxheve të kësaj natyre.
Me këtë, komuna e Gjilanit ka filluar servisimin e borxheve, aspekt ky që ditë më parë, në seancën e Kuvendit komunal, i kishte përplasur fortë edhe pozitë (LDK) e opozitë (PDK), pasi të parët pretendonin se duke përfshirë edhe detyrimet kontingjente, borxhi tejkalonte shumën prej 9 milion euro, ndërsa opozita mbronte qëndrimin se borxhi ishte më pak se 4 milion, kur, sipas tyre, kemi parasysh edhe një pjesë të mjeteve që kishin mbetur pas ndërrimit të pushtetit në Gjilan.
Përndryshe, Kryetari i Komunës së Gjilanit .Lutfi Haziri më herët në takimin e Këshillit të drejtorëve, kishte kërkuar uljen maksimale të shpenzimeve në secilin sektor të Komunës. Ai kishte thënë se kjo do të bëhet për t’u kursyer buxheti dhe pasi një hap i tillë ishte edhe i domosdoshëm për shkak të borxheve të mëdha që ka komuna e Gjilanit, trashëguar nga një qeverisje e keqe që kishte kjo komunë. /2lonline/