(2L ONLINE) – Komuna e Gjilani ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën e Hendikos-it, shurdhmemecëve dhe të verbërve, për mbështetje financiare, në mënyrë që kjo marrëveshje të rishikohet gjatë të ardhmes, me mundësinë që të rritet edhe më shumë vlera buxhetore. Misioni dhe kontributi që kanë dhënë këto shoqata për kategori të veçanta janë shumë të vlefshme për shoqërinë.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është e fokusuar në mbështetje financiare për këto tri shoqata në mënyrë që funksionimi dhe përkujdesja ndaj personave me nevoja të veçanta të jetë më e mirë.
“Në ditët e para të punës në këtë vit, përveç që me datën 2 janar kemi nisur me çështjen e banimit dhe ndërtimit të shtëpive nga fondi i solidaritetit qytetarë dhe të Komunës, sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit mes Komunës dhe Hendikos-in, shoqatë e cila trajton, menaxhon dhe udhëheq problemet që kanë të bëjnë me kategori të veçanta së bashku edhe me shoqatën e të verbërve dhe të shurdhmemecëve.
Këto kanë mision që të punojnë me njerëzit që zoti ua ka marrë një shqisë apo një organ, e që këta njerëz kanë edhe shumë aftësi të tjera.
Komuna ka marrë obligime financiare me një shumë të caktuar. Ky nuk është fond që e zgjidh problemin, por garanton funksionim. Këtë marrëveshje ndërkohë do ta rishikojmë në bazë të mundësive që ta rrisim, sidomos për Hendikos-in dhe shoqatën e shurdhmemecëve, meqë shoqata e të verbërve po llogaritet pak më e stabilizuar në këtë fazë”, tha kryetari Haziri.
Të gjitha subvencionet nga viti 2009 që janë marrë nga Komuna e Gjilanit, duhet të vijnë e të mbyllen në drejtorinë e buxhetit sepse ato nuk mund të marrin në të ardhmen subvencione në rast se nuk e bëjnë mbylljen në drejtorinë e buxhetit.
Haziri ka thënë se do të vazhdohet edhe me shoqatat tjera të nënshkruhet marrëveshje mirëkuptimi dhe me klubet sportive që Komuna i ka subvencionuar.
Ndërsa Fatmir Shurdhani, Bajram Spahiu dhe Reshat Sejdiu, kanë falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen dhe për angazhimin konkret në të mirë të këtyre shoqatave dhe në të njëjtën kohë një mbështetje edhe për të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme e që janë pjesë e këtyre tri shoqatave.
Ndryshe kryetari Haziri, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë, duke u dëshiruar përkushtim në mësime dhe angazhim maksimal në punë në mënyrë që rezultatet të mos mungojnë. /2L ONLINE/