(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, së bashku me drejtorin e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, si dhe drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Ismail Januzi, janë takuar sot me z. Petar Logar, përfaqësues i qeverisë së Tirolit austriak.
Në këtë takim është folur rreth dy projekteve, atë të sigurimit të ujit për ujitje në sektorin e bujqësisë dhe projektin e furnizimit të fermerëve me lopë simental (racë me veti të larta gjenetike).
Të dy projektet do të implementohen në partneritet me Komunën, fermerët dhe Tirolin austriak.
“Ne si qeveri e Tirolit jemi prezent në Kosovë qe 15 vjet me projektet të vogla. Shpresoj që ky projekt do të gjej mbështetjen e Komunës së Gjilanit, që është në të mirë të qytetarëve dhe do të këto projekte do të jenë si test për bashkëpunimet tjera”, tha me këtë rast Petar Logar, përfaqësues i qeverisë së Tirolit austriak.
Nënkryetari Rexhep Kadriu i ka dhënë mbështetje të plotë kësaj nisme dhe kërkoi që të zgjidhen vetëm ata fermerët e meritojnë të jenë pjesë e këtij projekti.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, është shprehur se Komuna e Gjilanit është e interesuar që sektorin e bujqësisë ta zhvillojë në mënyrën më të mirë, dhe projektet si këto janë shumë të mirëseardhura për zhvillimin e këtij sektori shumë të rëndësishëm në Gjilan.
Pas përgatitjeve të para së shpejti pritet implementimi i këtyre projekteve. /2LONLINE/