“Komuna e Vitisë, po vazhdon të punojë në infrastrukturën rrugore në interes të fermerëve vitias, konkretisht në shtrimin dhe rregullimin e rrugëve bujqësore me zhavorr”, thonë drejtuesit e komunës.
Me këtë rast vetëm ditëve të fundit është punuar në disa lokalitete të komunës së Vitisë, në rregullimin e rrugëve të tilla. Në veçanti është punuar në fshatin Gjylekar të Vitisë, fshat ky i njohur në fushën e bujqësisë që dalin me prodhime bujqësore që janë mjaft të kërkuar në tregun jo vetëm të Vitisë por në gjithë Kosovën. Gjithashtu është duke u punuar edhe në ndërtimin e rrugës me zhavorr që lidhë lokalitetet Ramjan- Sllakovcë.
Kryetari i Komunës së vitisë, Sokol Haliti, ka folur për këto projekte që janë në interes të qytetarëve vitias, përkatësisht të fermerëve.
“ Po vazhdojmë të punojmë në infrastrukturën rrugore në fushën e bujqësisë me qëllimin më të mirë që fermerët tanë të zot të kenë qasje më të lehtë në tokat e tyre bujqësore. Kjo gjithashtu lehtëson edhe transportin e prodhimeve bujqësore”, u shpreh Haliti.
Ai tha se fermerët vitias gjithashtu janë përkrahur dhe po përkrahën nga komuna e Vitisë edhe me pajisje bujqësore, fidane, sera por edhe në bashkëpunim me partnerët e ndryshme edhe në ngritjen e aftësive profesionale dhe të kapaciteteve për kulturat ndryshme bujqësore. /2LONLINE/