Komuna e Vitisë paralajmëron masa të ashpra ndaj ndotësve
Komuna e Vitisë, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe në koordinim me Drejtorinë e Inspekcionit, ka realizuar largimin e deponisë ilegale të mbeturinave në hyrje të Stubllës, duke rikthyer pastërtinë në këtë zonë.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka falënderuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Inspekcionit për angazhimin në largimin e deponisë, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit mbetet prioritet institucional.
Ai ka njoftuar se ky lokacion do të jetë nën mbikëqyrje me kamera, ndërsa çdo person që kapet duke hedhur mbeturina në vende të palejuara do të përballet me gjoba të rënda, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Apeli i Komunës është i qartë: mjedisi është përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbrohet nga secili qytetar. /2LONLINE/
