Komuna e Vitisë nënshkroi edhe një marrëveshje në fushën e shëndetësisë
/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Cartitasin e Kosovës, që ka të bëjë me përmirësimin e gjendjes dhe shërbimet në shëndetësi.
Kjo marrëveshje parasheh përmirësimin e shërbimit shëndetësor shtëpiak, ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve dhe një kujdes shtesë për familjet në nevojë të komunës së Vitisë, posaçërisht të zonave rurale të kësaj komune.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, ka theksuar angazhimin për të ndihmuar komunat në fushën e shëndetësisë, duke potencuar sidomos në ato që janë më specifike dhe ku qytetarët kanë vështirësi më të mëdha, ngase jetojnë në vise rurale.
Pas ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri Rrahmani tha se ky projekt sadopak do të lehtësoj vështirësitë e komunave që përballen në aspektin e ofrimit të shërbimeve mjeksore.
“Ne po mundohemi të mbështesim komunat, e sidomos si kjo e komunës suaj që ka një shtrirje të veçantë gjeografike ku qytetarët kanë vështirësi për të marrë shërbime shëndetësore në kohën e duhur. Ne po mundohemi që këto vështirësi që kanë komunat për kujdesin parësor në bashkëpunim edhe me Caritasin gjerman por edhe me të tjerët që po na ndihmojnë, të jemi kontribuues në lehtësimin e këtyre problemeve. Do të vazhdojmë brenda mundësive tona që përmes subvencionimit të shërbimeve në familje, të jemi pranë atyre me shërbime tona mjekësore”, tha ministri Rrahmani.
Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke folur për rezultatin dhe efektshmërin e plotë që do të ketë kjo marrëveshje, ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë, Caritasin e Kosovës dhe atë gjerman dhe gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e kësaj marrëveshje, që ky projekt të jetësohet dhe të ndihmohet aty ku ka nevojë.
“Ne e kemi mirëprit këtë projekt në fushën e shëndetësisë dhe sa i përket shëndetësisë primare ne besojmë shumë që së bashku me emergjencën në Viti dhe kapacitetet e tjera kemi ecë përpara. Vet prania e ministrit Rrahmani dëshmon përkushtimin e kësaj ministrie për të ndihmuar në fushën e shëndetësisë”, ka thënë kryetari Haliti.
Ndërkaq drejtori Gjeneral i Caritas Kosova Don Viktor Sopi, ka theksuar se falë angazhimit të kryetarit Haliti dhe ministrit Rrahmani, ne do të jemi mbështetës të kategorive në nevojë .
“Ne si pjesë integruese e Caritasit evropian, posaçërisht mundohemi që Caritasit gjerman të ia dërgojmë në vend misionin që ai e mbështet Homkerin për kujdesin shtëpiak, në 4 qendra në Kosovë dhe kështu do të realizohet edhe këtu në komunën e Vitisë, fal trajnimeve, logjistikës, shkollës gjermane në favor të kategorive të tilla”, u shpreh Sopi.
Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Vitisë dhe Caritas Kosova, do të bashkë financojnë në këtë projekt një vjeçar në vlerë të përgjithshme prej 84.000 euro. Caritas Kosova, obligohet në bazë të kësaj marrëveshje të bashkëpunoj me QKMF-në, Drejtorinë Komunale për Shëndetësi të Vitisë dhe me Caritasin gjerman, me qëllim të funksionalizimit sa më të mirë të këtij projekti, ku edhe do ti ofrohen trajnime profesionale e menaxhuese stafit profesional, respektivisht mjekëve dhe infermiereve. /2L ONLINE/



