Komuna e Vitisë e gatshme për shënimin e festës “Zoja e Letnicës”
/2L ONLINE/ – Në prag të shënimit të festës së njohur me emrin “Zoja e Letnicës” sot është mbajtur takimi përfundimtar në mes të përfaqësuesve të Institucioneve Komunale të Vitisë, Policisë, LMT-së së KFOR-it dhe këshillit të fshatit Letnicë ku është diskutuar për para përgatitjet në prag të kësaj feste që do të shënohet me 15 gusht në Letnicë të Vitisë. Gjatë këtij takimi është prezantuar plani i veprimit që për qëllim kryesor mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij manifestimi.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se komuna e Vitisë ka marrë të gjitha masat së bashku me mekanizmat e tjetër që ky manifestim të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme duke i falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim.
Ndërkaq edhe Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Agim Lipovica ka prezantuar një plan operacional që më shumë ka të bëjë rreth sigurisë. Gjatë këtij takimi edhe përfaqësuesit e tjerë u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha mekanizmat që kjo festë të shënohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që pelegrinët të cilët vizitojnë këto ditë Letnicën ndjenë mirë dhe sigurt. Përndryshe manifestimi qëndror i festës- mesha do të mbahet me 15 gusht në Letnicë. /2L ONLINE/
