(2LONLINE) – Përfaqësues të Aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” kanë vizituar sot Komunën e Vitisë dhe me këtë rast ata janë takuar me Kryetarin e kësaj komune Sokol Haliti me bashkëpunëtor. Gjatë këtij takimi është folur për mundësinë e bashkëpunimit dhe organizimit sa më të mirë të këtij aksionit të pastrimit dhe largimit të mbeturinave i cili pritet të filloj me 24 Maj në gjithë Kosovën.
Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti tha se Komuna e Vitisë deri me tani është angazhuar shumë në fushën e mjedisit konkretisht në pastrimin e lokaliteteve nga mbeturinat si dhe në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e saj.
“Kemi zhvilluar një aksion 22 ditor të pastrimit në Komunën tonë, gjatë këtij aksioni kanë marrë pjesë shumë qytetarë, por ne jemi të përkushtuar që të angazhohemi edhe me tej në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe atë me të gjitha mekanizmat” u shpreh Haliti.
Ndërkaq Koordinatori i Aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” për Kosovë Luan Hasanaj u shpreh se ata janë duke i shikuar mundësitë që aksioni i pastrimit të zgjerohet më shumë si dhe theksoi se ky aksion me ndihmën e mbështetësve të saj do të mbështes edhe komunën e Vitisë në fushën logjistike.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Drejtori i DUMP-së Dionis Ukaj, Drejtori i DSHPE-së Nexhmedin Jakupi , Zymrije Salihu zyrtare komunale si dhe koordinatorja e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” për Viti Besarta Osmani. /2lonline/