Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Fisnik Beqiri nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg, kanë nënshkruar sot dy kontrata për realizimin e projekteve. Njëra kontratë ka të bëjë me bashkëfinancimin e bizneseve fillestare dhe ekzistuese në këtë komunë që do të realizohet përmes participimit të komunës, bizneseve dhe fondacionit.
Vlera me e madhe që mund të përfitoj një biznes është 10 mijë euro. Kurse kontrata tjetër ka të bëjë me bashkëfinancimin e iniciativave shkollore ku me këtë projekt pritën të përkrahën disa shkolla të kësaj komune e që vlera maksimale për një shkollë përfituese do jetë 10 mijë euro.
Pas nënshkrimit të këtyre kontratave Fisnik Beqiri bëri me dije se përfituesit do të përzgjidhen me konkurs publik. Ai potencoi se shkollat në projektin tjetër mund të aplikojnë me idetë e ndryshme dhe shtoj se përzgjedhja do të bëhet varësisht nga nevojat dhe arsyeshmëria e propozimeve të dhëna.
Kurse në projektin që ka të bëjë me bizneset ai tha se të gjitha bizneset që janë të regjistruar në komunën e Vitisë kanë të drejtë aplikimi por shtoj se përparësi do të ju jepet bizneseve prodhuese dhe atyre që do gjenerojnë me shumë vende të reja të punës. Megjithatë ai inkurajoj të aplikojnë edhe bizneset që merren me mbrojtjen e ambientit duke potencuar se ata kanë përparësi në Fondacionin Kosovë-Luksemburg.
Kurse Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti u shpreh se këto projekte kanë një rëndësi të veçantë për komunën e Vitisë, duke potencuar se komuna të cilën ai e udhëheq ju është mirënjohëse këtij fondacioni për bashkëpunimin e mirë. Përndryshe në këtë takim ka marrë pjesë edhe Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Viti i cili njëherit është edhe Koordinator me këtë fondacion.