(2L ONLINE) – Drejtoria për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, respektivisht Njësinë e Trafikut Regjional, janë të vendosur të ndalojnë transportin ilegal të udhëtarëve dhe mallrave në Komunën e Gjilanit, duke i ruajtur transportuesit e rregullt të cilët kanë leje dhe paguajnë taksat e shtetit.
Me këtë rast drejtori, Sokol Haziri, i shoqëruar edhe nga togeri Agim Kqiku, nga shefi i inspeksionit në këtë drejtori, Izet Kurteshi dhe bashkëpunëtor të tjerë, ka thënë se janë të vendosur si drejtori në bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës të zbatojnë ligjin në përpikëri.
“Jemi të vendosur të ndalojmë transportin ilegal të udhëtarëve dhe të mallrave në Komunën e Gjilanit, për të krijuar siguri për qytetarët, duke zbatuar në përpikëri rendin dhe ligjin. Kjo do të jetë praktikë e përhershme e inspeksionit në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, e aq më mirë që Izet Kurteshi, shef i këtij sektori është i angazhuar në maksimum që të bëjë zbatimin e ligjit me të vetmin qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të transportuesve të përgjegjshëm. Të gjithë transportuesit ilegal i informojmë se të gjithë ata të cilët ushtrojnë këtë veprimtari dhe nuk kanë leje nga Komuna, mjetet e tyre do të largohen nga komunikacioni, e që dënimet janë mjaft të rënda”, tha drejtori Haziri.
Ai ka apeluar te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit që të kenë kujdes maksimal, sepse nëse e shfrytëzojnë transportin ilegal ka mundësi që t’u ndodh të mbeten në këmbë, sepse në momentin që has inspeksioni në raste të tilla, këto automjete do t’i largoj nga komunikacioni. Gjithashtu një apel e ka dhënë edhe për të gjithë transportuesit ilegal që të pajisen me leje, sepse në të kundërtën i presin dënime të mëdha dhe rënduese.
Ndërsa, Agim Kqiku, toger në Njësinë e Trafikut Regjional të Policisë së Kosovës, ka thënë se falë bashkëpunimit shumë të mirë që e kemi me Komunën e Gjilanit, jemi duke i asistuar në të gjitha rastet që ata kërkojnë.
“Jemi në shërbim të zbatimit të ligjit në plan të parë, por asistimin edhe për Komunën e bëjmë kurdoherë që është nevoja me kërkesë nga ana e komunës sepse qëllimi është i vijës së njëjtë me përgjegjësin tonë. Veprimet tona do të jenë intensive dhe përherë në mbrojtje të qytetarëve nga mashtrimet dhe ilegaliteti që po vepron në disa raste në Gjilan. Jemi në mbrojtje të operatorëve legal, sepse ata janë kontribuues dhe operues në bazë të ligjeve dhe rregullave të shtetit”, tha togeri Kqiku, duke shtuar se nëse është nevoja asistenca do të jetë 24 orë në ditë.
Ndryshe sektori i inspeksionit i cili është në kuadër të DSHPIB, janë të vendosur të monitorojnë gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit për zbatim të ligjit dhe të rregullave komunale. /2L ONLINE/