Komuna e Gjilanit zotohet se projekti i Tregut të Gjelbërt do të realizohet pa penguar tregtarët

Komuna e Gjilanit zotohet se projekti i Tregut të Gjelbërt do të realizohet pa penguar tregtarët

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në orët e hershme të mëngjesit ka takuar këshillin e Tregut të Gjellbërt, më vonë edhe tregtarët, të cilët i ka informuar se projekti i Tregut do të realizohet nëpër faza dhe nuk do të pengohet veprimtaria e tyre e shitjes së produkteve, por, do të bëhet investim modern së bashku me Komisionin Europian, për të krijuar kushte më të mira në këtë hapësirë.

“Nuk ka vend për shqetësime të tregtarëve, sepse është një projekt modern dhe ky treg bëhet për tregtarët dhe për qytetarët e komunës së Gjilanit. Të hënën fillojnë punimet në treg. Ata nuk do të lëvizin prej aty, sepse operatori ekonomik punimet do t’i realizojë në faza. Mund të ketë ndonjë pakënaqësi të vogël individuale, por edhe ato do të jenë të përkohshme dhe nuk do të ketë ndalje të veprimtarisë”, ka thënë Ismajli.

Ismajli ka informuar se për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik në OSHP, ka ndodhur kjo vonesë në fillimin e punimeve.

“Tregu ka qenë i planifikuar që të filloj të ndërtohet në vitin e kaluar, mirëpo për shkak të ankesave të ndryshme që kanë deponuar operatorët ekonomik në OSHP, ky projekt është zgjatur shumë. Komuna e Gjilanit është zotuar se përkundër fillimit të punimeve, veprimtaria e tyre do të jetë edhe më tutje e vazhdueshme dhe pa u penguar”, ka thënë ai.

Ismajli, gjithashtu, ka apeluar te të gjithë tregtarët që të jenë vigjilent dhe të mos manipulohen, sepse ky është projekt që po bëhet pikërisht për kushte më të mira për të ushtruar veprimtarinë e tyre dhe njëkohësisht për kushte më të mira edhe për konsumatorët që shërbehen në treg.

KOMENTE