DYLON

Komuna e Gjilanit vazhdon praktikën e raportimit të hapur për publikun

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Bordi i Drejtorëve, i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë raportuese, e cila ka qenë e hapur për publikun me transmetim të drejtpërdrejt në radiot lokale, ku është bërë raportimi për punët e kryera në drejtorinë e Administratës dhe zyrave vartëse kryetarit.

Ndër punët e mëdha që janë realizuar sivjet, kryetari Haziri ka përmendur ndërtimin e 24 shtëpive për familjet në nevojë nga fondi social, pagesën e qirave për 37 familje dhe meremetimin e 35 shtëpive sipas kërkesave të qytetarëve, ndërkaq në proces të ndërtimit të shtëpive në këtë fazë janë edhe 6 shtëpi.

EkoHigjiena

Ai tha se sivjet Komuna e Gjilanit ka marrë çmimin “The Best City Model Award” në panairin ndërkombëtar në Zurich të Zvicës, ku është vlerësuar si shembulli më i mirë për investime të huaja në rajon.

Poashtu, kreu i gjilanasve ka përmendur edhe sukseset e mëdha që janë arritur në sektorin e arsimit, ku nxënësit e Gjilanit kanë dalë kampion në shumë gara, sikurse investimet milionëshe në ndërtim të hapësirave shkollore, pastaj investimet në shëndetësinë primare etj.

Ndërkohë, i pari i Gjilanit tha se investimet e Komunës së Gjilanit në sektorin e bujqësisë së bashku me donatorët kapin shifrën mbi 2.5 milionë euro, duke i dalë në ndihmë bujqve për ta siguruar bukën e gojës nga toka e Gjilanit.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka vënë në theks edhe punën e madhe që është bërë në infrastrukturë, përkatësisht në ndërtimin dhe hapjen e rrugëve të reja, rrjetin e kanalizimit, të ujësjellësit, ndriçimit dhe krijimin e hapësirave të reja të gjelbëtra.

Një punë tejet e rëndësishme gjatë vitit 2015, sipas Hazirit është bërë me aktin e nënshkrimit të e anëtarësimit të Komunës së Gjilanit në Konventën e Kryetarëve të Komisionit Europian në Bruksel- një lëvizje europiane që përfshinë autoritetet lokale dhe rajonale.

Ndërkaq, për vitin e ardhshëm, Haziri ka ripërsëritur se do të ketë investime në të gjitha fushat në vlerë prej mbi 22 milionë euro, përfshirë edhe hyrje-daljet e qytetit si dhe përgatitjet me kohë për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, duke i falënderuar të gjitha qeveritë dhe donatorët e huaj për gatishmërinë për ta ndihmuar ndërtimin e Gjilanit.

Nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se viti 2016 është vit i investimeve të mëdha në infrastrukturën publike dhe në Gjilan sipas tij, do të ketë ndërtime të hovshme, duke shtuar se pamja përditë e më shumë po e ndryshon qytetin dhe fshatra që infrastruktura publike.

Nga ana e tij, drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica, tha se gjatë këtij viti resori i tij ka realizuar disa projekte në digjitalizim të administratës dhe ofrimin e shërbimeve më afër qytetarit, përfshirë projektin “Apliko Online”, “Puna në Distancë”, Zyre të Hapura”, unifikimin e mbishkrimeve për institucionet dhe shkollat, “E-Kiosqet” etj.

Kurse, Njësia për Kulturë, ajo për Sport dhe Rini, kanë potencuar angazhimet që janë duke i bërë në planifikim, në menaxhim dhe ngritje të kulturës, por edhe angazhim konkret në mbështetje të sportit dhe rinisë në përgjithësi.

Nga ana tjetër me raportet e tyre janë prezantuar edhe Zyra për Informim, punën e së cilës kryetari Haziri e ka vlerësuar lartë për promovimin e transparencës ndaj publikut, pastaj Njësia e Përsonelit, Shërbimi i Kuvendit, Zyra Ligjore, ajo për Kthim dhe Komunitete, Zyra e Integrimeve Europiane, të cilët kanë prezantuar punën e madhe dhe angazhimin që bëhet në këto zyra e që janë angazhime konkrete me volum të madh të punës dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

Kryetari Haziri, në mbyllje të takimit, ka falënderuar të gjithë drejtorët, menaxherët e njësive dhe të zyrave, por edhe gjithë shërbyesit civil, për angazhimin dhe punën që e kanë bërë për këtë vit, që sipas tij ishin promotorët e ndryshimeve pozitive në shërbim të qytetarëve. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.