/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ka shpërndarë sot mekanizim për 70 familje bujqësore, në vlerë prej 35 mijë euro. Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se subvencionimi me mekanizim në të gjitha sektoret, përkthehet me lehtësim të madh të bujqve në punimin e tokës.
“Është hera e dytë këtë vit dhe hera e pestë për këtë periudhë qeverisëse të udhëhequr nga kryetari Haziri që bujqit pajisen me mekanizim bujqësor. Me këtë politikë qverisëse të kryetarit Haziri, po mëtojmë shfrytëzimin maksimal të tokës bujqësore, subvencionimin e bujqëve pa përjashtim, qëndrueshmërinë në fermë si dhe hapjen e vendeve të reja të punës për fermerët në pronat e tyre dhe besoj se këtë po e arrijmë plotësisht”, ka deklaruar Ramadani.
Farmerët gjilanas të përzgjedhur sot janë pajisur me 20 spërkatëse të grurit, 10 rotofreza, 10 pijatore, 10 kositëse rotative, 10 grumbulluese të sanës, 5 mbjellëse të patates dhe 5 mbjellje të misrit.
Ndërkaq, gjatë këtij viti, Komuna e Gjilanit ka mbështetur bujqit me serra komerciale, 39 bujq kanë përfituar nga mbështetja me mjedër, sikurse edhe që janë subvencionuar edhe mbjelljet pranverore dhe ato vjeshtore, ku nga kjo e fundit kanë përfituar 730 farmerë me farë gruri, apo 140 mijë kilogramë në total.
Drejtori Ramadani ka folur edhe për projektet tjera të kësaj natyre në të ardhmen, duke konfirmuar partneritetet me donatorët ndërkombëtar.
“Duke i vlerësuar kapacitetet përpunuese dhe ruajtëse, do t’i ngrisim procedurat për ngritjen e 75 hektarëve me vishnje, do të aplikojmë te agjencioni shtetëror turk TIKA për mekanizim bujqësor, ndërkaq kemi ndërtuar edhe partneritete me Caritasin e Luksemburgut. Po ndërtojmë partneritete strategjike edhe me Ministrinë e Bujqësisë, kompanitë vendore dhe donatorët ndërkombëtar, në mënyrë që prodhimtarinë bujqësore ta bëjmë të qëndrueshme dhe profitabile” ka thënë drejtori i Bujqësisë në Gjilan. /2L ONLINE/