DYLON

Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon me mirënjohje mësimdhënësit e pensionuar

Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon me mirënjohje mësimdhënësit e pensionuar
Avatar photo Redaksia

Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, është shënuar të hënën 7 Marsi – Dita e Mësuesit, në ngjarjen ku janë nderuar me mirënjohje mësimdhënësit e pensionuar nga ana kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi ua ka uruar të gjithë mësimdhënësve Ditën e Mësuesit, ka thënë se duke qenë se arsimi dhe kultura kanë qenë dhe janë themelet e zhvillimit të një shoqërie, fjala e profesioni mësues qëndrojnë në piedestalin e të gjitha profesioneve.

EkoHigjiena

“Arsimi është shtylla e një shoqërie dhe mësuesit janë udhërrëfyesit e dijës. Çdo ditë duhet ta shprehim vlerësimin maksimal për ata që përkushtohen e angazhohen në këtë rrugë që është më tepër se sa një profesion e më shumë se sa një punë. Në këtë festë të dijes nderojmë kontributin e atyre që janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, të cilët përgatisin brezat e ardhshëm e të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur kryetari Hyseni, duke shtuar se do të vazhdojnë të kontribuojnë për arsimin dhe për gjeneratat e reja që janë të etshëm për dituri e dije.

Drejtoresha Komunale e Arsimit, Albana Demiri, ka thënë se historia e shkollës shqipe është historia jonë e përbashkët, e lavdishme dhe e dhimbshme njëkohësisht.

Ajo ka theksuar se “duhet të shprehemi me gjithë admirimin, dashurinë e përuljen tonë para sakrificës, vendosmërisë e guximit deri në flijim, vetëdijes iluministe të nxënësve e mësuesve, atyre që na sollën këtu”.

“Sot shënojmë bashkë edhe një ditëlindje të shkollës shqipe, duke nderuar kështu 7 marsin e vitit 1887 dhe duke u përkulur para etërve themelues të kësaj shkolle, duke vlerësuar vetëmohimin e tyre, besimin e fuqinë iluminuese të shpirtrave të tyre për iluminimin e shqiptarëve të Shqipërisë. Përulemi sot para rilindësve tanë që gatuan momentin e hapjes së kësaj shkolle, para qindra e mijëra mësuesve martirë, të cilët me gjithë qenien e tyre mbrojtën shkronjat e mësimin shqip”, tha ajo.

Në fund, janë dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar për kontributin nëpër gjenerata, ndërkohë para të pranishmëve është shfaqur një program i pasur kulturor artistik, i përgatitur nga shkolla e muzikës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.