Komuna e Gjilanit nis shpërndarjen e 455 pakove “Baby Box” për të porsalindurit
Komuna e Gjilanit ka nisur shpërndarjen e grupit të parë të pakove “Baby Box”, përmes të cilave do të mbështeten 455 familje që kanë mirëpritur anëtarët e tyre më të rinj.
Në nisjen e shpërndarjes së këtyre pakove morën pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj nisme për mbështetjen e prindërve të rinj dhe përkujdesjen ndaj të porsalindurve.
Ky projekt është pjesë e angazhimit të Komunës së Gjilanit për mbështetjen e familjeve, duke ofruar pako me produkte të nevojshme për ditët e para të jetës së foshnjave.
Nënkryetari Sadiku theksoi se kjo nismë përfaqëson një gjest simbolik të përkujdesjes dhe mbështetjes së Komunës për familjet gjilanase, duke ndarë me ta gëzimin e ardhjes në jetë të anëtarëve më të rinj.
Shpërndarja e pakove “Baby Box” do të vazhdojë rregullisht, me qëllim që secili i porsalindur në Komunën e Gjilanit të përfitojë nga kjo nismë.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Komunës u uruan prindërve të rinj shëndet, lumturi dhe mbarësi, ndërsa të porsalindurve një jetë të shëndetshme dhe të rrethuar me dashuri. /2LONLINE/
