(2LONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike së bashku me Eko-higjienën, sot kanë nisur pastrimin e lumit “Stanishorka”, i cili gjatë reshjeve të fundit ka shkaktuar dëmtimin e ekonomive familjare në këtë lagje, që përfshinë një hapësirë dhe një numër shumë të madh të banorëve.
Me këtë rast drejtori i Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, ka thënë se kjo përrockë që vie nga fshati Kuvcë gjatë të reshurave shndërrohet në një lum të madh dhe shkakton probleme të mëdha për banorët dhe ekonomitë familjare, që kap një pjesë shumë të madhe të qytetit.
“Kjo është faza e parë në këtë kohë që t’i eliminojmë problemet e paraqitura këtu nga mbeturina të ndryshme dhe nga mungesa e pastrimit të tij për një periudhë të gjatë, ndërsa në fazën tjetër kur ta ndërmarrim do të trajtojmë sipas standardeve. Pastrimi është duke ndodhur në atë mënyrë që të absorboj sasinë edhe më të madhe të ujit kur vie nga zonat malore. Pastrimi i kësaj pjese të lumit është në interes edhe të qytetit sepse pikat nën këtë lum janë më të rrezikuara nëse kjo nuk bëhet tani. Projekti për këtë lum është duke u studiuar dhe do të bëhet edhe projekti detal gjatë të ardhmes”, ka thënë ai, duke apeluar tek qytetarët që të kenë shumë kujdes kur hedhin mbeturinat, sepse ato pastaj shkaktojnë probleme sikur para pak ditëve me rastin e reshjeve atmosferike.
Edhe qytetarët nga kjo lagje shprehen se kjo përrocka sado e vogël që duket, gjatë reshjeve shkakton probleme për këtë lagje.
Refik Shabani, qytetarë që ka mini-fermë në këtë lagje, i është gëzuar tej mase pastrimit të lumit, ngase siç tha, kanë pësuar shumë gjatë të reshurave, duke u shndërruar në një lum vërshues për ekonomitë familjare.
“Kohë të gjatë askush nuk ka ardhur të na vizitoj, e lëre më të investoj sado pak në këtë lagje. Ky intervenim tash do ta parandaloj dëmtimin e tokave dhe pasurisë, sepse vërtet na ka penguar shumë kur lumi ka dalë nga shtrati. Falënderoj Komunën për këtë iniciativë sepse është mëse e qëlluar”, tha ai ndër të tjerash. /2lonline/