/2L ONLINE/ – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditëve të Lirisë me moton “Për paqe, për çlirim, për vlera”, Komuna e Gjilanit u ka ndarë sot mirënjohje sportistëve të Gjilanit, të cilët kanë shënuar suksese për një vit, sikurse edhe për personalitetet që kanë dhënë shumë në lëmi të ndryshme në sport.
Në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve ka marrë pjesë nënkryetari Rexhep Kadriu e zyrtarë komunal, shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, Avdyl Aliu, shefi i GK të PDK-së, Sahit Abazi dhe dashamirë të sportit gjilanas.
Nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili foli në emër të kryetarit Lutfi Haziri, tha se sot Komuna e Gjilanit po i nderon sportistët që kanë shënuar suksese të mëdha për një vit dhe personalitetet që me sukseset e tyre na kanë bërë krenarë të gjithëve.
Komuna i ka dhënë mirënjohje klubit të volejbollit “Drita”, pastaj Alban Hazirit, Tahir Ajvazit, Mexhit Devajës, Erzen Rrustemit, Muharrem Sahitit, Meritona Rexhepit, Elhami Shabanit, Dren Hajdarit, Fortesa Oranes, Violant Shabanit, Bjondina Rexhepit, Ardit Mustafës, Risi Nuhiu, “Steelwings”, Shoqatës së Sportit Shkollor dhe Lidhjes Rajonale të futbollit në Gjilan.
Ndërkohë, nesër në sheshin para Teatrit të Qytetit në ora 20:00, mbahet Festivali “Gurra Popullore”, ku edhe do të ndahen mirënjohjet e nominimeve në artin muzikor. /2L ONLINE/