DYLON

Komuna e Gjilanit me(pa) transparencë!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në kontekstin e bazës ligjore për transparencë në komuna, Komuna e Gjilanit në krahasim me periudhën paraprake 6 mujore, tani ka përmirësime të ndjeshme vetëm në një shtyllë, atë të transparencës së Ekzekutivit, ndërsa ka rënie në 3 shtylla të tjera: Transparenca e Kuvendit të Komunës, Transparenca Financiare dhe Transparenca në Konsultime Publike.

Në bazë të raportit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), vitin e kaluar transparenca e kuvendit komunal të Gjilanit ishte vlerësuar me pikë maksimale nga të gjitha shtyllat e tjera duke marrë 29.3 pikë, kurse për këtë periudhë vlerësuese ajo ka rënë në 24.7 pikë.

EkoHigjiena

Megjithatë nga 17.3 pikë sa kishte marrë paraprakisht transparenca e ekzekutivit tani ajo ka ngritje në 27.3 pikë, dhe ajo qëndron mirë me zyrtarë për informim, për qasje në dokumente publike, publikim të kontakteve të Kryetarit dhe drejtorëve, publikimin e konkurseve, etj.

Me këtë rast, Ibrahim Ademi, zyrtar për informim në Komunën e Gjilanit, ka theksuar se aktivitetet e kësaj zyre i dedikohen pikërisht qytetarëve të kësaj komune, duke përmendur kështu komunikimin në kuadër të faqes zyrtare të Komunës në Facebook, dhe webfaqen zyrtare ku publikohen ngjarje, dokumente, etj. Ademi tutje tha se gjatë këtij viti zyra për informim në Gjilan, ka pranuar 55 kërkesa nga ana e qytetarëve për qasje në dokumente publike, prej të cilave vetëm 2 ende janë në procesin.

“Mendojë që jemi transparent në këtë drejtim. Çdo ngjarje publikohet si në webfaqe, facebook, por për këto të fundit lëshohen edhe komunikata me cilësinë dhe sasinë e duhur. Këtë vit kjo zyre ka pranuar 55 kërkesa në qasje për dokumente publike, prej tyre vetëm 2 ende janë në procesim. Përgjigjet kthehen brenda afatit ligjor prej 7 ditëve”, tha Ademi.

Ndërkohë Sahit Abazi, shefit i grupit të këshilltarëve komunal të Partisë Demokratike të Kosovës, për aq transparencë sa ka Komuna e Gjilanit e vlerëson meritore PDK-në, sepse sipas tij, transmetimi i seancave komunale në televizion dhe radio, publikimi i kontratave, konkurseve e aktiviteteve të tjera në webfaqe, ka qenë model i kësaj partie në kohën sa ishte në pushtet.

“Ne, sa ishim në pushtet filluan transmetimet e seancave në televizionin Vali dhe ne radio lokale, e që ky pushtet e vazhdoi modelin tonë. Megjithatë konsiderojë që këtë vit kemi shifra të ulëta të transparencës pothuajse në të gjitha sektorët” tha Abazi.

Derisa sipas KDI-së, rënie me të madhe kjo Komunë ka pësuar në konsultime publike, ku në kontekstin e rritjes të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje kjo komunë ka shënuar rënie nga 21.3 pikë në 12.3 pikë. /Edona JERLIU/