Komuna e Gjilanit ka nisur ndërtimin e shtëpisë për familjen e Agim Ilazit nga Livoçi
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit sot ka nisur ndërtimin e shtëpisë së 29 për familjet skamnore duke paralajmëruar se deri në fund të vitit ky numër do të shkoj në 40 sosh, sikur që edhe asistenca për këtë kategori të qytetarëve nuk ka munguar asnjëherë.
I radhës për ndërtim të shtëpisë sot ishte Agim Ilazi nga fshati Livoç i Epërm, i cili është duke rritur tre fëmijë jetim, pasi më parë u ka vdekur e ëma.
Pas hedhjes simbolike të betonit, nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, i cili shoqërohej nga drejtori i Shëndetësisë, ai i Urbanizmit dhe drejtori i Prokurimit, ka thënë se kjo shtëpi është vazhdimësi e aksionit “Pak nga ne shumë për ata”, rreth të cilit ishin mbledhur numër shumë i madh i donatorëve.
“Sot kemi nisur ndërtimin e shtëpisë së 29 për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, ndërsa në këtë fazë është ndërtimi i pesë shtëpive dhe renovimi i 40 të tjerave. Gjithashtu javën e ardhshme do të nis ndërtimi edhe i tri shtëpive të tjera që financimi i tyre do të bëhet nga donatorët. Nga fondi i grumbulluar, por edhe nga donatorët, presim që numri i shtëpive të ndërtuara të shkoj deri në 40 shtëpi”, ka thënë nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili ka apeluar që solidariteti dhe mbështetja për këto familje të vazhdoj çdo ditë.
Ndërsa i emocionuar dhe duke mbajtur përdore djalin e tij të vogël, Aim Ilazi, ka kujtuar kushtet e vështira dhe jetën e rëndë që ka bërë deri më tani, duke shprehur falënderime të pandërprera për këtë ndërtim.
“Në këtë të madhe të Ramazanit po nis një jetë e re për mua dhe këta jetim që i kam. Falënderoj kryetarin Lutfi Haziri dhe bashkpunëtorët e tij që e bënë të mundur shtëpinë për mua. Kam jetuar në kushte shumë të vështira dhe as që duhet krahasuar ato, por shyqyr që nuk më kanë harruar”, fliste ai nën lotët e gëzimit dhe të vuajtjeve të kohës së skamjes që kishte kaluar. /2L ONLINE/
