DYLON

Komuna e Gjilanit e përkushtuar për barazi gjinore

Komuna e Gjilanit e përkushtuar për barazi gjinore
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të angazhimit për të nxitur barazinë gjinore përmes monitorimit dhe llogaridhënies së ndjeshme ndaj gjinisë, përfaqësues të Komunës së Gjilanit, takuan përfaqësuesit e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, i mbështetur nga UN Women, dhe i zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) në partneritet me YIHR, me financim nga Bashkimi Evropian.

Takimi u zhvillua me nënkryetaren e komunës, Leonora Morina Bunjaku, zyrtaren për barazi gjinore, Lindita Salihu, drejtorin e Zhvillimit Ekonomik Enver Shabani, atë të Bujqësisë Bajram Isufi, si dhe zyrtarë të tjerë komunalë.

EkoHigjiena

Gjatë takimit, përfaqësuesit e YIHR prezantuan raportin mbi gjetjet nga monitorimi i Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore 2024–2026.

U vlerësua se Komuna e Gjilanit, ka treguar përkushtim të madh dhe ka punuar me sukses në zbatimin e planit, veçanërisht përmes angazhimit të drejtorive të Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Kulturës, Rinisë e Sportit.

Po ashtu u diskutuan rezultatet e arritura, sfidat e hasura dhe rekomandimet për të përmirësuar edhe më tej angazhimin në këtë fushë të rëndësishme.

Komuna e Gjilanit, do të vazhdojë zbatimin e këtij plani me synimin që të përmbushet plotësisht gjatë periudhës së planifikuar 2024–2026, duke dëshmuar angazhimin e plotë për një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Avancimi i barazisë gjinore mbetet një prioritet i komunës. /2LONLINE/