DYLON

Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur sot ciklin e dëgjimeve buxhetore

Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur sot ciklin e dëgjimeve buxhetore
Avatar photo Redaksia

Me dy takimet e fundit, njëri me gra e rini dhe tjetri me komunitete, Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve buxhetore, ku i ka dëgjuar dhe evidentuar kërkesat e qytetarëve nëpër lokalitete, të cilat do të merren parasysh në përpilimin e listës së prioriteteve për investime gjatë vitit 2022.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, i ka inkurajuar pjesëmarrësit në dëgjime publike që pa asnjë rezervë t`i paraqesin nevojat e tyre për investime, në mënyrë që ato të mund të planifikohen dhe përfshihen në buxhetin e vitit 2022. 

EkoHigjiena

Gratë e Gjilanit, si nevoja me prioritet kanë paraqitur themelimin e një fondi për viktimat e dhunës në familje, për gratë e moshuara, pastaj mbështetje për fuqizimin ekonomik të gruas dhe bizneseve që udhëhiqen nga gratë, sikurse nevojitet mbështetje edhe për nënat vetushqyese si dhe për aktivitete të ndryshme të grave. 

Përfaqësuesi i komunitetit serb ka kërkuar përfshirjen në investimet e vitit 2022 të projektit për rregullimin e kanalizimit të ujërave atmosferikë në Shillovë, derisa përfaqësuesit e fshatit Cërnicë, që po ashtu kanë marrë pjesë në takimin e sotëm, kanë kërkuar rregullimin e kanalizimit, pastrimin e lumit, rregullimin e rrugëve të brendshme dhe trotuarit. 

Rregullimi i rrugëve të kategorisë së tretë, përkatësisht rrugëve bujqësore u kërkua edhe për fshatin Vrapçiq.

Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini ka premtuar se të gjitha kërkesat e parashtruara nga qytetarët në këto dëgjime buxhetore, do të diskutohen dhe shqyrtohen bashkërisht me kryetarin e Komunës si dhe drejtorët komunale dhe do të vendosen në listën e investimeve në bazë të prioriteteve. 

Sa i përket kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, ajo ka thënë se ky problem zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e impiantit, që pritet të realizohet gjatë vitit 2022.                 

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale si Komunë që buxhetin ta shpërndajmë në mënyrë të balancuar, duke u dhënë përparësi projekte madhore, të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve, si në fshatra, ashtu edhe në qytet”, ka thënë Kurteshi-Emini. 

Dëgjimet buxhetore janë organizuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe ato janë mbajtur në disa lokalitete, përfshirë edhe takimet me gra, rini dhe komunitete. /2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.