Komuna e Gjilanit dhe Rrjeti i Grave të Kosovës bashkojnë përpjekjet për fuqizimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje
Sot, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, para Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje u prezantuan plani i punës dhe të gjeturat nga hulumtimi i realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës me institucionet komunale.
Ky bashkëpunim është formalizuar para disa muajsh përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, me synim funksionalizimin, fuqizimin dhe avancimin e punës së Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje.
Gjatë takimit u prezantuan të gjeturat e hulumtimit, të cilat pasqyrojnë nevojat, sfidat dhe kërkesat e institucioneve komunale në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e identifikimit të mangësive, përcaktimit të prioriteteve dhe planifikimit të veprimeve konkrete që do të ndikojnë në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për viktimat e dhunës.
Funksionalizimi i këtij mekanizmi kërkon angazhim të përbashkët, komunikim të vazhdueshëm dhe bashkërendim të punës ndërmjet institucioneve përgjegjëse, përfshirë shërbimet sociale, institucionet shëndetësore, Policinë e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, u deklarua se si Drejtori mbeten të përkushtuar që, në kuadër të përgjegjësive, të kontribuojnë në forcimin e shërbimeve mbështetëse, identifikimin dhe trajtimin me kohë të rasteve, si dhe në krijimin e një sistemi më të koordinuar dhe më efektiv të mbrojtjes.
“Luftimi i dhunës në familje nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por detyrim i përbashkët institucional dhe shoqëror. Përmes bashkëpunimit të mirëfilltë dhe veprimeve konkrete, synojmë të garantojmë më shumë siguri, mbrojtje dhe mbështetje për çdo person që përballet me dhunën. Dhuna nuk duhet të tolerohet. Çdo viktimë meriton të dëgjohet, të mbrohet dhe të mbështetet”, ka thënë drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi. /2LONLINE/
