Komuna e Gjilanit bënë thirrje për respektim të masave mbrojtëse anti-Covid-19

Komuna e Gjilanit bënë thirrje për respektim të masave mbrojtëse anti-Covid-19

Komiteti i Emergjencave nën kryesimin e drejtorit Selami Xhemajli, ka bërë vlerësimin e gjendjes me Covid-19 dhe apelon te të gjithë qytetarët, punëtorët në sektorin privat dhe në atë publik, që të jenë të vendosur në përdorimin e masave mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të virusit Covid-19.

Në fjalën e tij drejtori Xhemajli, pasi ka marrë vlerësimin e gjendjes nëpër institucionet shëndetësore dhe atyre të sigurisë, ka bartur apelin e përbashkët për kujdes maksimal ndaj Covid-19.

“Gjendja është e qetë, por kërkohet respektim strikt i masave mbrojtëse, në mënyrë që gjendja të jetë nën kontrollë. Qytetarët e Gjilanit janë duke bashkëpunuar me institucionet komunale dhe në përgjithësi po i respektojnë kështu vendimet e qeverisë dhe rekomandimet e mjekëve. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë edhe më tutje, deri në përmirësimin e plotë të gjendjes dhe eliminimin e virusit Covid-19”, ka thënë ai mes tjerash.

Në bazë të shifrave të përgjithshme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmohet se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, në ditën e 180, ka gjithsej 916 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 738 pacient, 39 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 139 pacient, prej tyre 29 janë të hospitalizuar të konfirmuar me Covid-19.

Në rezultatet e sotme nga 11 mostra të punuara, 8 raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 38 mostra janë në pritje të punimit në IKSHPK.

Apeli i përbashkët dhe i vazhdueshëm nga Gjilani është respektimi i rekomandimeve për mbrojtje, sepse virusi është i rrezikshëm dhe duhet të kemi kujdes të përbashkët.

KOMENTE