Komuna e Gjilanit apelon te qytetarët që ta kursejnë ujin e pijshëm

Komuna e Gjilanit apelon te qytetarët që ta kursejnë ujin e pijshëm

Komuna e Gjilanit dhe Kompania Regjionale e Ujit “Hidromorava”, kanë bërë thirrje te të gjithë qytetarët të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit që të shfrytëzojnë me shumë kujdes ujin e pijshëm, sepse niveli i ujit në pendën e Përlepnicës është në rënie të vazhdueshme shkaku i mungesës së reshjeve në këtë fazë.

Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka apeluar te të gjithë qytetarët që me shumë kujdes ta shfrytëzojnë ujin e pijshëm sepse siç ka thënë ai pas takimit me drejtorin, Muhamet Suliqi dhe kryeshefin Mumin Morina, ka bërë me dije se ka rënie të mëdha të nivelit të ujit dhe duhet një mobilizim i përbashkët në shfrytëzim të kontrolluar të ujit.

“Apelohet te të gjithë qytetarët e Gjilanit që të shfrytëzojnë me shumë kujdes ujin e pijshëm, sepse në të kundërtën keqpërdorimi përpos që është vepër e cila do të sanksionohet, ka edhe anën tjetër negative që e detyron furnizimin me reduktime të ashpra. Duhet bashkërisht të jemi në gjithë këtë proces për tejkalimin e gjendjes deri në kthimin në normalitet”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ndërsa, drejtori i KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi, ka thënë se ka rënie të nivelit të ujit dhe furnizimi është duke u bërë me një kontroll të vazhdueshme në mënyrë që qytetarët të furnizohen me ujë dhe njëkohësisht të jenë edhe bashkëpunues në këtë proces.

“Duhet të kemi mbështetjen e gjerë qytetare për furnizimin e rregullt me ujë të pijes. Apelojmë për shfrytëzim racional të ujit nga të gjithë qytetarët, sepse pastrimi i veturave, trotuareve etj, është dytësor në raport me furnizimin me ujë të pijshëm për konsumator”, tha drejtori Suliqi.

KOMENTE