/2L ONLINE/ – Në kuadër të aktiviteteve që është duke i bërë Drejtoria e Inspekcionit për lirimin e hapësirave publike, sot në fshatin Kabash, konkretisht pranë kishës katolike është bërë lirimi i disa hapësirave publike të cilat ishin uzurpuar nga banorët lokal. Lirimi i këtyre hapësirave është bërë në bashkëpunim me të gjitha mekanizmat përkatës duke filluar nga Drejtoritë Komunale, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit etj.
Skënder Ahmeti, Drejtor i Inspekcionit ndër tjerash bëri me dije se kjo drejtori është e përkushtuar në lirimin e hapësirave publike.
“Ne do të jemi në aktivitet të vazhdueshëm për lirimin e të gjitha hapësirave publike. Natyrisht se kjo është edhe një mesazh për ata të cilët mendojnë të bëjnë uzurpime do të ju shkatërrohen ato ndërtime si dhe do të lirohet hapësira”, tha Ahmeti.
Duke folur lidhur me aktivitete shumta të kësaj drejtorie në lirimin e hapësirave publike në fshatrat e ndryshme të komunës së Vitisë ai tha se ka ndodhur që disa qytetarë pasi kërkesës së kësaj drejtorie kanë bërë vetë lirimin e pronave të uzurpuare.
“Kemi liruar shumë hapësira të cilat janë vetë ekzekutuar nga banorët pasi kërcënimit për ekzekutim të dhunshëm. Këtu kemi filluar me një ekzekutim të dhunshëm pasi që ne nuk jemi të kënaqur me lirimin e hapësirave”, u shpreh drejtori Ahmeti.
Ai tha se për kundër disa presioneve nga qytetarët e panderëgjeshëm kjo drejtori është e vendosur të bëjë lirimin e hapësirave pasi që kjo është edhe kërkesë e shumë banorëve duke potencuar se në hapësirat publike duhet të kenë qasje të barabartë të gjithë qytetaret. Ai porositi qytetarët që kanë prona të uzurpuara që të bëjnë lirimin vullnetar të tyre me qëllim që të mos bëhet ekzekutimi i dhunshëm i tyre. /2L ONLINE/