Kompromiset pengesë për normalizim

Kompromiset pengesë për normalizim

Kjo që quhej kompromis, në të vërtet është heqje dorë nga një pjesë e shtetësisë së Kosovës. Pranimi i “kompromiseve” nga pala kosovare ka shkuar aq larg sa që Kosova, kështu si është sot është bërë shtet jofunksional.

Shkruan: Ismajl KURTESHI

Gabimi fatal i shtetit të ri të Kosovës ndodhi kur përfaqësuesit e Kosovës pranuan që me Serbinë të diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm të shtetit të Kosovës.

Në ketë situatë, Kosova duhet t’i ndërpres bisedimet, derisa Serbia të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës.

T’i tërheq kompromiset të cilat janë bërë pengesë për funksionimin normal të shtetit të Kosovës, e që nuk i cenojnë të drejtat e minoritarëve por ju shërbejnë projekteve hegjemoniste të Serbisë.

Që nga bisedimet e Vjenës, të vitit 2006, në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, zgjidhja e mosmarrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me insistimin e kësaj të fundit dhe ndikimin e saj te ndërmjetësuesit ndërkombëtar, është kërkuar të ndodh përmes kompromiseve që duhej t’i bëjë Kosova, me arsyetimin se Kosova që doli fitimtare në luftën e imponuar nga Serbia duhet t’i jep diçka Serbisë, edhe pse kjo luftë vetëm sa e korrigjoi padrejtësinë e madhe që ju kishte ndodhur shqiptarëve të Kosovës në vitin 1912.

Logjika e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes kompromisit u instalua jo vetëm te ndërmjetësuesit por edhe te përfaqësuesit e Kosovës, që në vend se të kërkonin ndëshkimin e Serbisë, për gjenocidin 87 vjeçar mbi shqiptarët që jetonin në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, ata iu nënshtruan kërkesave të Serbisë, disa për shkak të paaftësive, e të tjerët për arsye personale.

Gabimi fatal për shtetin e ri të Kosovës ndodhi kur përfaqësuesit e Kosovës pranuan që me Serbinë të diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm të shtetit të Kosovës.

Kjo që quhej kompromis, në të vërtet ishte heqje dorë nga një pjesë e shtetësisë së Kosovës. Pranimi i “kompromiseve” nga pala kosovare ka shkuar aq larg sa që Kosova, kështu si është sot është bërë shtet jofunksional.

Pasojë e këtyre lëshimeve janë pranimi i Pakos së Ahtisarit, që u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës (e cila pakicës serbe i siguroi privilegje, kurse Serbisë të drejtën e ndërhyrjes në çështje të brendshme të Kosovës), përfaqësuesit e Kosovës, gjatë negociatave me Serbinë përveç tjerash, pa asnjë arsye, pranuan: Decentralizimin në baza etnike, formimin e komunave të reja me shumicë serbe, vendet e garantuara të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, Qeveri dhe Institucionet tjera; kompetencat shtesë për serbët në shëndetësi, arsim, gjyqësi, zëvendësimin e “Republikës” me fusnotë, heqje dorë nga reciprociteti, punësimin e strukturave paralele në institucionet e Kosovës e sidomos të drejtën e vetos përmes shumicës së dyfishtë, e që bllokon pothuajse të gjitha vendimet e rëndësishme për vendin, si dhe “Zajednicën”.

Nëse analizohen pasojat e këtyre kompromiseve, lehtë mund të konstatohet se këtu nuk bëhet fjalë për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por për privilegjet e tyre që nuk i gjen askund në botë. Këtu bëhet fjalë për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës nga Serbia që vjen si rezultat i papërgjegjësisë së palës kosovare.

Këto kompromise e kanë krijuar përshtypjen te pala serbe se Kosova do të vazhdon me kompromise që qojnë drejt defunksionalizimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës dhe rritjes së ndikimit të Serbisë brenda saj.

Kështu kompromiset janë bërë pengesë për arritjen e marrëveshjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, të interesuar për marrëveshje, por jo edhe drejtësi, duke hasur në rezistencë të fort te pala serbe, presionin e kanë orientuar mbi palën shqiptare.

Qytetarët serbë të Kosovës që kanë fituar privilegje të paimagjinueshme nuk e kanë asnjë arsye të integrohen në shoqërinë kosovare.

Në këtë situatë, kur Serbia hapur po deklaron se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje edhe nëse plotësohen të gjitha kërkesat e saj.

Në situatën kur Serbia po përfiton miliarda dollarë nga SHBA-të dhe BE-ja, për faktin se po negocion me Kosovën, për Kosovën.

Në situatën kur Serbia negociatat po i bënë jo për normalizim, por për hapjen e rrugës për anëtarësimin e saj në BE dhe mbajtjen e Kosovës peng, Kosova duhet:
– T’i ndërpres bisedimet derisa Serbia të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës.
– T’i tërheq kompromiset të cilat janë bërë pengës për funksionimin normal të shtetit të Kosovës, e që nuk i cenojnë të drejtat e minoritarëve, por ju shërbejnë projekteve hegjemoniste të Serbisë. /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE