/2L ONLINE/ – Në Komunën e Gjilanit, në bashkëpunim me invesititorin lokal Ibrahim Krivaça – “Albimi”, dhe në mbështetje edhe të Komunës, është hapur sot kompania botërore e mobilieve e njohur për stilin e saj modern dhe me cilësi të lartë, “ISTIKBAL”, e cila ka dyqanet e saj në gjithë Turqinë dhe në mbi një mijë pika të shitjes në Evropë, Amerikë dhe shumë vende të tjera të botës.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës, i shoqëruar nga nënkryetari Kadriu, drejtorët e drejtorive komunale, Memduh Boydak përfaqësues i ISTIKBAL dhe shumë qytetarë.
Se Kosova është bërë një treg interesant edhe për kompanitë e mëdha, dëshmon fakti që arriti prodhuesi i njohur i mobiljeve ISTIKBAL.
Nga ana e tij kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i ka dhënë mbështetje investitorëve të huaj dhe ka përshëndetur bashkëpunimin e afaristit tashmë të njohur në Gjilan Ibrahim Krivaça i cili është pjesë e bashkëpunimit në këtë fushë me kompaninë ISTIKBAL.
“ALBIMI, apo pronari Ibrahim Krivaça ka dëshmuar për angazhim në fushën e biznesit, respektivisht të prodhimit. Tani falë edhe angazhimit të tij, ne sot në Gjilan kemi një kompani botërore nga industria e mobilieve modern dhe me një cilësi të lartë. U bëjmë thirrje edhe kompanive të tjera dhe investitorëve të interesuar që të investojnë në Gjilan dhe Kosovë, sepse kushtet ekzistojnë dhe në nivelin lokal i japim mbështetje të fuqishme sektorit të biznesit privat, sepse kështu mundësojmë punësim të të rinjëve dhe zhvillim njëkohësisht. Shteti turk dhe afaristët nga atje, por edhe shumë investitor të tjerë kanë rrugën e hapur që të vijnë me investimet e tyre këtu, sepse kushtet janë të garantuara me ligjë duke i dhënë edhe mbështetjen e nivelit lokal të qeverisjes, që jemi të angazhuar konkretisht në këtë drejtim”, tha në fjalën e tij kryetari Haziri.
Ndërsa, përfaqësuesi i Istikbal, Memduh Boydak, nga Turqia ka thënë se kjo kompani sot po hap dyqanet e saja në Gjilan dhe Ferizaj dhe është këtu për arsye të tregut që ka, të kërkesave nga rinia e madhe që është në Kosovë dhe në këto dy qytete, por edhe për shkak të mundësive për të bërë biznes.
“Jemi këtu të hapim dyqanin e Istikbal, i cili ofron për konsumatorët e interesuar, prodhime të industrisë së mobilieve me produkte modern dhe cilësore. Istikbal është kompani e cila radhitet në mesin e dhjetë kompanive më të mira në Evropë. Synimi ynë është të ofrojmë në të ardhmen thjeshtësimin e jetës së konsumatorëve duke u munduar në plotësimin e çdo nevoje për dekorimin e shtëpisë. Me ofrimin e mijëra ofertave nën të njëjtën çati të sloganit “Home Concept” Istikbal vazhdon të fitojë vrullshëm zemrën e konsumatorëvë në industrinë e mobiljeve”, tha ai duke bërë të ditur se kjo kompani vepron në më shumë se 70 shtete të ndryshme të botës.
Kurse, nga ana e tij, Ibrahim Krivaça që është bashkëpunëtor i kompanisë ISTIKBAL, ka thënë se në Gjilan janë investuar mbi 800 mijë euro, duke krijuar vende të sigurta pune për të rinjtë nën ombrellën e kësaj kompanie me renome botërore.
“Ne jemi angazhuar jashtëzakonisht shumë që kjo kompani të vie në Kosovë me bashkëpunim të ngushtë mes nesh. Falë zotit sot po bëjmë hapjen e saj. “Albimi”, është marrë me prodhim dhe do të vazhdojmë tutje. Sot jemi së bashku edhe në shitje të mobilieve modern dhe me cilësi të garantuar”, tha ai duke bërë të ditur se do të vazhdojnë edhe më tutje për zhvillim, krijim të vendeve të reja të punës, në ofrimin e produkteve që ndryshojnë vërtetë shtëpitë nga brenda.
Istikbal është themeluar në vitin 1957. Ka mbi 50 vjet histori suksesi në industrinë e mobilieve. Është brendi me i dalluar në diversitetin e produktit, dallimet e projektimit, të cilësisë dhe të shërbimeve pas shitjes, në të gjithë Turqinë dhe anë e mbanë Europës.
Aktualisht, më shumë se 70 produkte janë prezent me markën Istikbal në Greqi, Bullgari, Rusi, Egjipt, Gjermani, Kazakistan, Rumani, Britani të Madhe. 110 pika të shitjes të tjera gjinden në vende të tilla si Franca duke kryer shërbime jashtë vendit në cilësinë e brendit Istikbal për rreth 5000 pika të shitjes. /2L ONLINE/