Komiteti për Shëndetësi kërkon më shumë buxhet për çështjet sociale
/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar të hënën raportin e punës për periudhën janar-qershor 2016, të cilin e ka paraqitur kryesuesi Jashar Jashari, duke nënvizuar fillimisht përgjegjësitë e kësaj trupe komunale në zbatimin e shërbimeve për kujdesin parësor shëndetësor në nivel komunal.
Përndryshe, Jashari ka thënë se në këtë komitet mbretëron një klimë e mirë e bashkëpunimit pozitë-opozitë, gjë që u dëshmua edhe te miratimi unanim i raportit, duke i përfshirë edhe sugjerimet e opozitës si dhe kërkesën e përbashkët për rritje të buxhetit për këtë sektor.
Njëherësh, Jashari ka thënë se KSHMS, gjatë kësaj periudhe kohore ka mbajtur 6 takime të rregullta pune, ku janë shqyrtuar e diskutuar çështje të ndryshme të kujdesit parësor si dhe të kujdesit shëndetësor.
Janë dhënë propozime, sygjerime, rekomandime, ndonjëherë edhe vërejtje, por gjithmonë brenda një fryme demokratike, ka thënë Jashari.
Ai ka përmendur edhe rekomandimet konkrete të Komitetit, duke shtuar se shumica e tyre janë miratuar.
Në diskutimet e anëtarëve të kësaj trupe komunale, ka dominuar kërkesa për rritje të buxhetit për shëndetësi.
Agron Leka (PDK) ka thënë se KSHMS ka bërë një punë të lavdërueshme, por duhet të insistojë në rritjen e buxhetit. Ai tha se si mjek specialist, shpeshherë është ndeshur me situata ku pleqtë ankohen se nuk mund t`i blejnë barnat që ua përshkruan.
“Këta njerëz kanë nevojë për përkrahje, sepse janë barna të kushtueshme dhe ata nuk mund t`i sigurojnë rregullisht me buxhetin e tyre”, ka thënë Leka.
Leka ka thënë po ashtu se Gjilani duhet ta ketë shtëpinë e vet të pleqve dhe jo t`i dërgojë në Prishtinë ata që kanë nevojë për strehim.
Fatbardha Selamni (PDK) e ka vlerësuar të mirë raportin, por ka thënë se është dashur të përfshihen edhe rekomandimet që nuk janë refuzuar.
Sa i përket propozimit për një linjë të veçantë buxhetore për kontrollimin sistematik të nxënësve, Nexhat Halili (LDK) ka thënë se projekti është duke u realizuar dhe nuk ka asnjë pengesë sa i përket anës buxhetore.
Veton Uka (AAK) e sheh të domosdoshme nevojën për rritjen e buxhetit për shëndetësi, sepse kërkesat nga qytetarët janë të shumta. Sa u përket shoqatave të ndryshme, Uka ka thënë se kërkesat e atyre OJQ-ve që nuk janë të regjistruara, do të refuzohen tani e tutje. Sipas tij, vetëm OJQ “Liria” rezulton të jetë e regjistruar.
Sa i përket ndihmës me barna të kategorive sociale, Uka tha se këta persona ndihmohen rregullisht, por brenda mundësive buxhetore.
Mirvete Kurteshi (VV) tha se pavarësisht punës së mirë që është bërë, nuk ka vend për vetëkënaqësi, duke kërkuar që KSHMS të dalë më shpesh në terren, për të identifikuar probleme reale, siç janë gjendja e furnizimit me barna, cilësia e ujit, higjiena publike, rreziku nga qentë endacakë si dhe probleme të tjera që mund të jenë shqetësime të qytetarëve. /2L ONLINE/
