/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), të mërkurën, në takimin e radhës, e ka rekomanduar për procedurë të mëtejme projekt-statutin e QKMF-së, me vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve të kësaj trupe komunale.
Zejdush Tahiri, kryesues i Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të QKMF-së, ka thënë se me këtë akt nënligjor, i cili bazohet te Udhëzimi Administrativ i MSH-së, unifikohet funksionimi i shëndetësisë parësore në Kosovë, që deri tani ka pasur laramani, varësisht prej komunave.
Me statutin e ri, edhe politikat menaxheriale, që tani janë të përqendruar vetëm te drejtori, shpërndahen te Këshilli drejtues, i cili është organ vendimmarrës, ka thënë Tahiri.
Anëtarët e KSHMS kërkuan që të kufizohet edhe mandati i drejtorit të QKMF-së, i cili sipas ligjit të shërbimit civil, është i përhershëm.
Jashar Jashari, kryesues i KSHMS tha se duhet të qartësohet edhe çështja e vulave, sepse në propozim-statut nuk shkruan vendi dhe as emërtimi i QKMF-së.
Tahiri ka sqaruar se mandatin e drejtorit e rregullon ligji dhe jo statuti i QKMF-së, ndërkaq sa i përket selisë së këtyre institucioneve të shëndetit parësor dhe emërtimit të tyre, ai ka thënë se kjo është çështje teknike, që specifikohet sipas komunave përkatëse.
Një informatë të shkurtër për gjendjen në këtë sektor e ka dhënë edhe drejtori i ri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, i cili ka thënë se qëllim yni është rritja e cilësisë së shërbimeve si dhe e disiplinës në punë. /2L ONLINE/