/2L ONLINE / – Komiteti për Komunitete ka miratuar raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), për periudhën janar-qershor 2015, ku nënvizohen aktivitetet në procesin e kthimit të qëndrueshëm, integrimi i personave të riatdhesusar si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.
Milivoje Zhivkoviq, shef i ZKK, ka thënë se në këtë periudhë, janë ndihmuar 8 familje të kthyera si dhe janë shqyrtuar rastet të cilat i plotësojnë kriteret për të qenë përfitues në fazën e dytë.
Sa i përket riatdhesimit, në këtë periudhë janë kthyer 113 familje dhe vetëm 3 prej tyre i plotësojnë kushtet për asistencë, ka thënë ai.
Fadil Demiroviq ka thënë se ai, si përfaqësues i komunitetit rom, nuk është konsultuar te pëzgjedhja e përfituesve dha për këtë ka kritikuar edhe zyrën e UNHCR-it.
Përndryshe, gjendja e sigurisë në Gjilan, është vlerësuar e mirë. Sadete Sadiku, përfaqësuese e policisë, ka thënë se nuk ka pasur incidente me prapavijë ndëretnike.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka thënë se toleranca ndëretnike në Gjilan po reflektohet pozitivisht edhe në pjesët tjera të Kosovës, duke nënvizuar se në tregun e Gjilanit kanë filluar të vijnë serbë edhe nga pjesët tjera të Kosovës.
Sa i përket vërejtjeve të përfaqësuesit të komunitetit rom, Komiteti ka rekomanduar diskutimin e këtij problemi në takimin e ardhshëm, ku do të ftohet edhe përfaqësuesi i UNHCR-it nga zyra qendore në Prishtinë. /2L ONLINE/