DYLON

Komiteti për komunitete kërkon të dhëna më të plota për të kthyerit dhe të riatdhesuarit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Komunitete, të enjten ka shqyrtuar raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), ku janë pasqyruar aktivitetet në procesin e kthimit dhe riatdhesimit për periudhën janar-shtator 2015. Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, duke i marrë parasysh edhe vërejtjet e anëtarëve tjerë, ka kërkuar plotësime me të dhëna sa i përket listës së përfituesve.

Milivoje Zhivkoviq, shef i Zyrës, ka thënë se në këtë periudhë, janë miratuar 13 kërkesa për ndërtim të shtëpive për të kthyerit, duke nënvizuar se në listën e përfituesve janë 11 familje serbe dhe 2 rome. Disa prej këtyre shtëpive janë ndërtuar, kurse disa të tjera janë në ndërtim e sipër.

EkoHigjiena

Sipas Zhivkoviqit, projekti financohet nga BE dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe do të vazhdojë edhe dy vitet e ardhshme. Ai nuk ishte në gjendje të thotë nëse në mesin e përfituesve ka edhe të atillë që më herët i kanë shitur shtëpitë.

Sa i përket riatdhesimit, në të njëjtën periudhë, nga vendet e treta janë kthyer në mënyrë vullnetare ose dhunshëm 134 familje dhe vetëm 4 prej tyre i kanë plotësuar kriteret asistencë.

Në 18 raste, kthimi është bërë nga shtete të panjohura. Vërejtjeve të Bardhyl Kadriut se si është e mundur që të kthehet dikush në Kosovë dhe të mos dihet se prej nga ka ardhur, Zhivkoviq i është përgjigjur duke thënë se kështu figuron në bazën e të dhënave të Ministrisë së Brendshme, e cila bën regjistrimin e të kthyerve në aeroportin e Prishtinës.

Fadil Demiroviq tha se komuniteti rom po anashkalohet në projektet e kthimit, duke adresuar kritika për këtë jo vetëm te ZKK, por edhe te MKK dhe UNHCR-i.

Tomisllav Naskoviq ka pasur vërejtje te ndarja e granteve dhe subvencioneve për fermerë, nga Ministria e Bujqësisë, duke thënë se ka raste që tre anëtarë të një familje kanë aplikuar me të njëjtën fetë poseduese të tokës dhe ka kërkuar që kjo të mos tolerohet, sepse është keqpërdorim.

Ndërkaq, gjendja e përgjithshme e sigurisë u vlerësua e mirë nga përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku./2L ONLINE/