(2LONLINE) – Komiteti për Komunitete, të premten, në takimin e parë të punës në përbërje të re, e ka vlerësuar të kënaqshme gjendjen e sigurisë në Gjilan. Sadete Sadiku, përfaqësuese e Policisë së Kosovës, ka thënë se siguria në komunën e Gjilanit vazhdon të jetë e mirë. Nga të gjitha rastet e raportuara në polici gjatë kësaj periudhe tre mujore, asnjëri nuk ka qenë me karakter ndëretnik, ka thënë Sadiku.
Rastet që kanë pasur më shumë jehonë në këtë periudhë, janë ato të dhunës ndaj bashkëmoshatarëve, që ka përfshirë shumë vende në Kosovë, por fatmirësisht kjo dukuri nuk është paraqitur në komunën tonë, pos në ndonjë rast të rrallë, por që nuk ka qenë serioz.
Për të parandaluar këto raste, policia ka realizuar disa plane operative, që kanë pasur si qëllim vetëdijesimin e të rinjve, ka thënë Sadiku, duke përmendur mbajtjen e ligjëratave nëpër shkolla si dhe projekte të tjera.
Ndërkaq, Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka prezantuar planin e punës për periudhën e ardhshme deri në fund të këtij viti, duke thënë se detyrë e kësaj trupe komunale është që të sigurohet se ekziston liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Gjilan, arsimimi i barabartë, kthimi i të zhvendosurve, krijimi i infrastrukturës së nevojshme, e drejta e përdorimit të gjuhës amtare si dhe detyra të tjera.
Shahin ka paralajmëruar edhe vizita të Komitetit për Komunitete në qeveri dhe zyrën e Kryetarit të Komunës, që sipas tij, janë të rëndësishme për të trajtuar çështje të punësimit të komuniteteve, politikat sociale, investimet dhe të tjera.
Ndryshe, Shahin ka thënë se Zyra e Komuniteteve e ka obligim që të raportojë për punën e saj në Komitetin për Komunitete, relacion ky që nuk ka funksionuar si duhet në të kaluarën, por që është përmirësuar dukshëm me ardhjen e shefit të ri të ZKK-së.
Sa u përket vizitave nëpër institucione, Shefik Surdulli (PDK) ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhen vizita formale, nëse ato nuk kanë një qëllim të caktuar. Sipas, tij, më mirë është që Komiteti ta shfrytëzoj kohën për gjera konkrete dhe që janë të dobishme për komunitetet. /2lonline/