DYLON

Komiteti për komunitete e miraton me vërejtje raportin tremujor të ZKK

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Kthim dhe Komunitete ka miratuar me vërejtje raportin e punës së Zyrës për Kthim dhe Komunitete (ZKK), për periudhën janar-mars 2016, ndërsa Draft-planin e veprimit për integrimin e komunitetit RAE në Gjilan, për periudhën 2016-2018 e ka rekomanduar për procedim të mëtejmë në KPF. Përndryshe, ky Komitet, që udhëhiqet nga Kemal Shahin, që prej themelimit të tij e deri tani, ka dhënë kontribut të madh në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ri-integrimin e komuniteteve në shoqërinë e këtushme, ku tani nuk flitet për siguri e probleme tjera me komunitete, por për zhvillim dhe për të ardhme të përbashkët.

Kemal Shahin është nderuar me mirënjohje nga autoritetet komunale, për kontributin e tij në promovimin e të drejtave të komuniteteve, si kryesues i Komitetit për Komunitete.

EkoHigjiena

Shahin ka thënë se pjesë e kësaj mirënjohje janë të gjithë anëtarët e Komitetit, pavarësisht përbërjes në të cilin ata kanë qenë anëtarë të kësaj trupe komunale.

Sa i përket raportit tremujor të punës së ZKK, shefi i saj, Milivoje Zhivkoviq, ka thënë se gjatë kësaj periudhe kanë pasur 13 kërkesa për kthim, përkatësisht 114 persona, që kur udhëhiqet baza e të dhënave për këtë proces në ZKK.

Në periudhën e njëjtë, sipas evidencë së Ministrisë së Brendshme të Kosovës, janë kthyer 136 persona apo familje, në kuadër të procesit të riatdhesimit. Asnjëri prej tyre nuk i plotëson kriteret për ndihmë ose asistencë tjetër, ka thënë ai. Në ZKK, ndërkaq janë adresuar 7 kërkesa të ndryshme nga personat e riatdhesuar.

Ai ka folur edhe për projektet e organizatave ndërkombëtare që ndihmojnë kthimin dhe komunitetet dhe ka thënë se në një program të IOM-it për bujqësi kanë aplikuar 25 persona.

Ibish Ibishi (AAK) tha se raporti është i mangët, sepse nuk i përmban të dhënat për numrin e të kthyerve dhe riatdhesuarve, sipas komuniteteve dhe vendbanimeve ku janë vendosur ata, sikurse shifrat e ZKK nuk përputhen me ato të MPB. Nuk janë saktësuar kërkesat për asistencë, nuk janë dhënë emrat e përfituesve, as nuk janë nënvizuar vendbanimet, ku janë bërë vizita në terren.

Milivoje Zhivkoviq ka thënë se, me ligj nuk lejohet publikimi i të dhënave personale të personave të kthyer dhe riatdhesuar. Sa i përket përfituesve në programet e IOM-it dhe të tjerë, ai ka thënë se ZKK nuk e bën listën, as përzgjedhjen, por vetëm njoftohet.

Kjo mënyrë e përzgjedhjes së përfituesve nga organizatat ndërkombëtare, e ka nxitur Tomisllav Naskoviqin që të reagojë, duke thënë se ka raste kur personi vjen nga Kragujevci në Kosovë, ku si i kthyer përfiton moto kultivator dhe rimorkio, të cilin e shet pas dy ditësh dhe kthehet prapë në Serbi. Ai ka kërkuar që listat e aplikuesve të verifikohen në ZKK, që të mos lejohet keqpërdorimi i ndihmave për të kthyerit.

Vërejtje në raportin e punës, për shkak të këtyre mangësive, ka pasur edhe Fadil Demiroviq dhe të tjerët, për çka kryesuesi i Komitetit, Kemal Shahin, ka kërkuar që raporti të plotësohet në të ardhmen.

Përndryshe, ai ka thënë se Komiteti do t`i vazhdojë vizitat në terren dhe gjatë majit do të shkojë për një takim me banorët e fshatit Ponesh, ku jetojnë shqiptarë e serbë, për t`i dëgjuar kërkesat e tyre.

ZKK ka përgatitur edhe planin e veprimit për integrim të komunitetit RAE, ku janë identifikuar nevojat dhe kërkesat e këtij komuniteti dhe ato janë paraqitur në këtë dokument pune.

Si probleme më kryesore janë theksuar arsimimi, punësimi, shëndetësia dhe çështjet sociale, dokumentacioni personal, pjesëmarrja në politikë-bërje dhe përfaqësimi e të tjera. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.