Komiteti për Gjeodezi rekomandon këmbimin e një prone për interesa publike
/2L ONLINE/ – Komiteti për Gjeodezi, Kadastër e Pronë (KGJKP) ka miratuar propozimin për këmbimin e një prone komunale me pronë private, për nevoja të interesit publik dhe e ka rekomanduar për procedurë të mëtejmë.
Nevzad Rushtiti, kryesues i këtij Komiteti, ka thënë se anëtarët e kësaj trupe komunale, së bashku me gjoedetët kanë qenë edhe në terren, para se kërkesa të procedohet, duke sqaruar se bëhet fjalë për zgjerimin e një rrugë në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, duke shtuar se të dyja palët janë të kënaqura me këtë zgjidhje.
Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë ka thënë se në këtë rast kemi të bëjmë me një shpronësim, i cili kryhet përmes këmbimit të pronës dhe ku është pajtuar edhe pala, të cilët për nevoja të rrugës i janë marrë 127 m/2.
“Mungesa e buxhetit na pamundëson të bëjmë kompensim financiar të pronave, të cilat nevojiten për interesa publike, prandaj në rastet kur është e mundur, kompensimi bëhet përmes këmbimit të pronave”, ka thënë Berisha.
Arjeta Rexhepi (VV) ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte sikur prona të kompensohej me para dhe jo me këmbim. Fadil Hajdari (PDK) ka thënë se në rastin konkret, kompensimi përmes këmbimit, është adekuat, ndërkaq Arben Maliqi (LDK) ka kërkuar që të shikohen mundësitë për zgjidhje në këtë mënyrë edhe të pronave që janë marrë për rrugë qarkore, në kohën e pushtetit serb.
Sipas drejtorit Berisha, rruga qarkore është një problem i trashëguar, të cilin është kërkuar zgjidhje nga qeveria, sepse Komuna nuk ka mundësi financiare ta bart një obligim aq të madh. /2L ONLINE/
