Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë rekomandon ndërrimin e pronës private me publike
/2L ONLINE/ – Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i kryesuar nga Refik Shala, ka rekomanduar për në KPF, propozimin për këmbimin e pronës komunale me pronë private në rrugën qarkore, respektivisht ngastrën kadastrale të Rifat Pajazitit, sikur që ka kërkuar edhe listën me emrat e të gjithë pronarëve të cilëve u është marrë prona private në rrugën qarkore, si dhe informatat për shpronësimet, këmbimin apo procedurën se deri ku ka arritur zgjidhja e këtij problemi.
Me këtë rast i pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe drejtori i kësaj drejtorie Sadudin Berisha, i cili ka arsyetuar këmbimin e kësaj prone në bazë të ligjit në fuqi.
Berisha poashtu ka bërë të ditur se në gjithë vijën e rrugës qarkore bëhet fjalë për 316 parcela private me gjithsej 13 ha, por siç ka thënë ai, është e pamundur që të gjitha këto prona të shpronësohen, sepse Komuna e Gjilanit nuk ka mundësi financiare për këtë qëllim, prandaj është vepruar në këtë mënyrë tek ky rast, sikur në disa raste të ngjashme që është vepruar vite më parë.
Edhe anëtarët, Fadil Hajdari dhe Sami Ahmeti, e kanë cilësuar si zgjidhje për këtë rast, por kanë kërkuar listën për të gjithë pronarët e parcelave që janë prekur nga projekti i rrugës qarkore, projekt që është realizuar gjatë viteve të ’90-ta.
Ata kanë thënë se këtë listë e kërkojnë për t’u informuar detajisht nga Drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, për shpronësimet, apo këmbimet që kanë ndodhur në këtë pjesë, si dhe për kërkesat që janë bërë për shpronësim, këmbim apo zgjidhje në kuadër të ligjit, duke informuar për pronën që është marrë nga banorët, uzurpimet nëse kanë ndodhur në këtë pjesë etj. /2L ONLINE/
