DYLON

Komiteti i Zhvillimit Ekonomik ka miratuar raportet e dy drejtorive të linjës

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Agrikulturë (KZHEA) ka miratuar të mërkurën raportet 6-mujore të Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari si dhe të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, të cilat i kanë prezantuar drejtorët Ramiz Ramadani e Agim Zuzaku.

Ramiz Ramadani, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari, ka thënë se objektivat e planifikuara për këtë periudhë kohore, janë arritur plotësisht.

EkoHigjiena

Ai ka përmendur disa nga subvencionet më të rëndësishme që janë realizuar në këtë periudhë, ku ka nënvizuar projektin për mbjelljen e mjedrës, në vlerë 60 mijë euro, i cili realizohet në dy faza, shpërndarjen e farës së misrit për 406 fermerë, projektin e serave, ku kanë përfituar 20 fermerë, shpërndarjen e mekanizmit bujqësor në bashkëpunim me organizatën “TIKA”, shpërndarjen e 35 centrifugave elektrike për blertarë dhe të tjera.

“Ne vlerësojmë se në projektin e mjedrës, ku përfitojnë 39 fermerë, sigurohen 100-120 vende pune”, ka thenë Ramadani.

Po ashtu janë ndihmuar bujqit në plotësimin e aplikacioneve për mini – grante për mikro biznese dhe biznese bujqësore në organizatën gjermane HELP.

Në bashkëpunim me donatorët është organizuar një konferencë për masovizimin e sektorit të pemtarisë në regjionin e Anamoravës, që parasheh ngritjen e 75 hektarëve me vishnje vetëm në komunën e Gjilanit. Tani jemi në fazën e hulumtimit të interesimit të fermerëve, ka thënë ai.

Në funksion të bujqësisë do të trajtohen 20 km rrugë fushore në Malishevë, Uglar, Pogragjë, Llovcë, Dobërqan, Kmetoc dhe Verbicë e Kmetocit. Investimi do të jetë mbi 100 mijë euro, ka thënë Ramadani.

Ai është përgjigjur edhe në interesimet konkrete të anëtarëve të KZHEA, Jakup Bajrami, Fatmir Hoxha, Hevzi Xhelili, Bashkim Shala dhe të tjerë.

Jehona Hyseni, kryesuese e Komitetit, ka thënë se ky sektor ka bërë një punë të mirë në përkahje të fermerëve, si nevojë për rritjen e prodhimtarisë vendore dhe e ka inkurajuar drejtorin Ramadani që të vazhdojë mbështetjen për bujqësinë.

Si projekt mjaft të qëlluar ajo e ka vlerësuar edhe hapjen e rrugëve fushore, sepse në këtë mënyrë krijohen kushte për bujqit që më lehtë të kenë qasje në pronat e tyre bujqësore, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka thënë se vëmendje të veçantë në këtë periudhë i kanë kushtuar bashkëpunimit me donatorë, si nevojë për përkrahje të bizneseve të vogla e të mesme, duke nënvizuar se vetëm në tremujorin e parë kanë përfituar rreth 200 biznese.

“Ne, fatkeqësisht nuk kemi buxhet që t`i subvencionojmë bizneset, por fatmirësisht kemi gjetur donatorë që ofrojnë grante për këto biznese”, ka thënë Zuzaku.

Zuzaku ka thënë se vullneti ynë për t`i lëvizuar gjerat përpara nuk mjafton asnjëherë, por ka shtuar se Komunat nuk mund të bëjnë shumë në përkrahje të bizneseve, sepse i kanë duart e lidhura nga niveli qendror, i cili i bën këto politika.

Si tregues të mirë për zhvillimin e biznesit në këtë 6-mujor, Zuzaku ka vlerësuar regjistrimin e 265 ndërmarrjeve të reja, ku janë punësuar 443 persona e që janë 107 punëtorë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zuzaku i ka paraqitur edhe aktivitetet tjera të kësaj drejtorie, të cilat kanë dhënë rezultate konkrete në fushën e zhvillimit ekonomik lokal. /2L ONLINE/