Komiteti i Shërbimeve Publike i jep përkrahje planit për menaxhimin e mbeturinave
/2L ONLINE/ – Rregullorja komunale për menaxhimin e mbeturinave, bashkë me planin e veprimit për vitet 2016-2020, kanë marrë përkrahje në Komitetin për Shërbime Publike (KSHP), pasi të dyja këto dokumente i janë nënshtruar edhe dëgjimit publik, para se të procedohen për miratim në Kuvend Komunal.
Isa Agushi, kryesues i KSHP, duke kërkuar mbështetjen e planit dhe të rregullores nga anëtarët e kësaj trupe komunale, me gjithë vërejtjet e tyre për mungesën e përfaqësuesit të komisionit hartues të planit, për të dhënë sqarime, ka thënë se bëhet fjalë për një investim serioz të GIZ-it gjerman.
Rregullorja si dhe plani i veprimit, janë të nevojshme, meqë Komunat, për herë të parë, marrin përsipër menaxhimin e mbeturinave dhe do të jenë përgjegjëse edhe për caktimin e tarifës së shërbimit.
Siç u tha, komisioni ka punuar një kohë të gjatë në hartimin e planit dhe të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, ku kontribut të madh ka dhënë sidomos GIZ-i gjerman.
Gjilani është komunë që inkurajon kulturën e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, përmes standardeve më të larta të menaxhimit të mbeturinave dhe që krijon partneritet të suksesshëm me rininë, familjet dhe bizneset, me qëllim reduktimi, përkatësisht riciklimi të mbeturinave.
Plani ka 90 veprime konkrete, që parashihet të realizohen deri në vitin 2020.
Sa i përket rregullores, Samil Robelli nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, ka thënë se qëllimi ynë është që të rregullojmë çështjen e menaxhimit të mbeturinave komunale në mënyrë të integruar.
Përmes pyetjeve, vërejtjeve e sugjerimeve të ndryshme, kanë kontribuar Hamid Azemi, Ilir Tahiri, Ramadan Ajvazi, Mizafere Ismajli e të tjerë. /2L ONLINE/
