/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) e ka shqyrtuar të hënën raportin e punës së Drejtorisë së Shëndetësisë dhe me disa vërejtje të opozitës për mungesën e pjesën financiare, e ka rekomanduar për KPF.
Jashar Jashari, kryesues i KSHMS, ka thënë se drejtoria e linjës ka ofruar një raport të mirë, që është mjaft përmbledhës për aktivitetet e zhvilluara në këtë 6-mujor, por ka treguar mirëkuptim edhe për kërkesën e opozitës, duke sugjeruar që në 9-mujor, raporti të kompletohet edhe me pjesën buxhetore.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili e ka prezantuar raportin e punës, ka thënë se gjithçka është transparente sa i përket shpenzimeve dhe gjithçka mund të shihet, por meqë buxheti është shqyrtuar, diskutuar dhe analizuar në Kuvend, nuk e ka parë të nevojshme t`ia bashkëngjes raportit të punës.
Përndryshe, Hajrullahu ka nënvizuar se gjatë kësaj periudhe, nga fondi i solidaritetit, që është krijuar nga Komuna dhe donatorët, qiraja e banimit është kompensuar për 39 familje në nevojë, në vlerë 3.222 euro, kurse për 37 familje të tjera ka filluar meremetimi i shtëpive, në shumë prej 19.732 euro. Nga ky fond, duke llogaritur edhe vitin e kaluar, deri tani janë ndërtuar gjithsej 27 shtëpi.
Hajrullahu ka theksuar se po ashtu është kryer pagesa për familjet e dëshmorëve, në shumën prej 15.600 euro.
Sa i përket punës në QKMF, ai ka nënvizuar se në këtë institucion të shëndetit parësor janë kryer mbi 118 mijë vizita.
Qendra për Punë Sociale ka vazhduar aktivitetin e saj në mbështetje të kategorisë sociale dhe aktualisht ndihmon 1148 familje. Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar 144 kërkesa të reja dhe 100 prej tyre janë aprovuar, ka thënë Hajrullahu.
Fatbardha Selmani e Agron Leka (PDK), Mirvete Kurteshi (VV) e Selvete Shurdhani (PD) kanë thënë se raportit nuk duhet të mungonte pjesa buxhetore, sepse dihet që asnjë aktivitet nuk është kryer pa shpenzime.
Kurse Nexhat Halili (LDK) e Veton Uka (AAK) kanë thënë se raporti pasqyron punën e mirë që ka bërë kjo drejtori.
Anëtarët e Komitetit kanë parashtruar edhe pyetje konkrete për raportin si dhe punën e përgjithshme në këtë drejtori. /2L ONLINE/